Rama ndan diskutimet në mbledhjen për “Praninë Besnike”: Njerëzit të ndihen të qetë kur të vijnë të qajnë një hall

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Nisma e Partisë Socialiste “Prania Besnike” tashmë ka marrë jetë në të gjithë vendin. Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe, por edhe deputetë të kësaj force, janë angazhuar në takime me qytetarë çdo të premte, prej orës 17:00.

Kreu i Partise Socialiste, njekohësisht kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga “mbledhja tanimë javore me drejtuesit politikë dhe ministrat, për raportimet dhe detyrat e ‘Pranisë Besnike’”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë, në prezantimin e nismës, u shpreh se “Prania Besnike” do të funksionojë si një hapësirë neutrale, ku qytetarët do të mund të paraqesin individualisht problematikat, ankesat, kërkesat apo shqetësimet e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, vuri theksin te inteligjenca artificiale.

“Kemi një sistem i cili e dëgjon ankesën dhe e çon përpara. Inteligjenca Artificiale na jep mundësinë që, sapo të hidhet problemi, të gjenerohet e-maili, edhe me referencat ligjore. E gjen vetë informacionin se kujt institucioni i dërgohet.”

Drejtuesi politik i PS-së në Berat, Ervin Demo, tha se “takimet janë pritur shumë mirë. Plus, ne kemi edhe dallëndyshet e para të suksesit. Jam i bindur që nga java në javë do të jemi më shumë”.

Mirela Kumbaro, drejtuese politike në Gjirokastër, tha se “praktikisht pati njerëz që unë s’i prisja të vinin aq shpejt, por është dhe dëshira për të ardhur, për të dëgjuar, për të takuar”.

Ogerta Manastirliu, drejtuese politike në Tiranë, u shpreh: “Rikthimi me ‘Praninë Besnike’ është ajo që njerëzit e kanë pritur dhe kanë ngritur pritshmëritë e tyre.”

Belinda Balluku, drejtuese politike ne qarkun Fier: “Ne kemi administruar 262 ankesa, kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar rreth 300 qytetarë.”

Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes dhe drejtues politikë në Lezhë, tha se “në qarkun e Lezhës janë zhvilluar 3 takime të ‘Pranisë Besnike’. Deputetët kanë marrë 34 ankesa; çështjet kryesore lidhen me OSHE-në, ASHK-në, rindërtimin, që kanë lidhje me ASHK-në, si edhe nevoja për ndërhyrje në infrastrukturë rrugore, kryesisht rrugë dhe ura”.

Ulsi Manja, drejtues politik në Dibër: “Njëri ma tha shqip: ‘Besoj se kjo që do shkruash ti’, tha ai, ‘ky halli im do shkojë te tavolina e punës’.”

Bledi Çuçi, drejtues politik në Vlorë: “Unë i kam shpërndarë deputetëve një formular të unifikuar për mënyrën se si do t’i marrin shqetësimet.”

Ervin Mazniku, drejtues politik në Elbasan: “Duke i kthyer përgjigje njerëzve që kanë kërkesa, më jep mundësinë që në sistem të tërheqim në kohë reale sa përgjigje kanë ardhur, kujt i ka ardhur, sa është përgjigjja e mirë…”

Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se “pjesa kryesore e shqetësimeve lidhen me legalizimet. Kishte një problematikë specifike për shtëpitë e para vitit 1991, me drejtoreshën e Kadastrës, për të takuar se ndoshta mund të ketë një zgjidhje më sistemike për këtë çështje”.

Lorena Goxhobelli,  Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës e pranishme ne takim u shpreh se, “ne kemi bërë, nga fillimi i procesit që nga 2018, rreth 12 mijë vendime në total. Kemi dhe rreth 30 të tjera për të bërë, pra procesi është i hapur. Aplikojnë edhe tani që flasim njerëzit. 45 për qind të këtyre vendimeve i kemi bërë në këto dy vite.”

Videoja mbyllet nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “njerëzit nuk vijnë aty as për t’u shfaqur në televizor ose në Instagram. Madje as duke u identifikuar fare që ishin aty. Dhe kjo do t’u japë mundësinë të gjithëve që të ndihen të qetë kur vijnë të qajnë një hall”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër