Trump: SHBA bisedime me Rusinë dhe Kinën për çarmatimin bërthamor

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Uashington, 16 tetor, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë bisedime me Rusinë dhe Kinën për çarmatimin bërthamor, duke shprehur dëshirën për të avancuar procesin e denuklearizimit.

Deklaratat u bënë të enjten, gjatë një interviste për median konservatore amerikane “Newsmax”.

“Do të doja shumë që të çarmatoseshim nga armët bërthamore, nëse është e mundur. Por në fakt, po flasim me Rusinë për këtë çështje dhe po flasim edhe me Kinën”, tha Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi se arsenali bërthamor i Kinës është ende më i vogël se ai i Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por parashikoi se Pekini mund të arrijë nivelin amerikan brenda pesë viteve të ardhshme.

Sipas tij, kjo e bën Kinën më pak të gatshme për çarmatim, megjithëse kontaktet për këtë çështje vijojnë.

Presidneti Trump nuk dha hollësi mbi bisedimet, raundet konkrete të negociatave apo rezultatet e mundshme. Kina kishte refuzuar në vitin 2020 propozimet për bisedime mbi çarmatimin bërthamor me SHBA-në dhe Rusinë.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Rusia zotëron rreth 5 420 koka bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës  rreth 5 042.

Ndërkohë, Kina po zgjeron arsenalin e saj më shpejt se çdo vend tjetër dhe, sipas vlerësimeve të institutit, zotëron rreth 620 koka bërthamore. Në paradën ushtarake të vitit 2025, Pekini prezantoi disa sisteme të reja bërthamore.

Deklaratat e Trump vijnë pas skadimit në shkurt të këtij viti të traktatit “New START”, marrëveshjes së fundit kryesore që kufizonte arsenalet strategjike bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë. Traktati përcaktonte një kufi prej 1 550 kokash bërthamore strategjike të dislokuara për secilën palë, si dhe kufizime për raketat balistike dhe mjetet përkatëse të lëshimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër