Trump: Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa varet nga marrëveshja për Groenlandën

Nga D V
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 9 korrik Zhurnal.mk –  Presidenti amerikan Donald Trump ka ngritur mundësinë e një reduktimi të mëtejshëm të pranisë ushtarake amerikane në Evropë, duke e lidhur çdo vendim me arritjen e një marrëveshjeje të mundshme për të ardhmen e Groenlandës.

“Nuk e kam marrë ende vendimin përfundimtar. Gjithçka do të varet nga Groenlanda”, tha presidenti Trump në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, kur u pyet nëse do të tërhiqte më shumë trupa amerikane nga Evropa.

Presidenti Trump shtoi se gjithçka do të varet nga fakti nëse ai do të arrijë atë që e quajti “një marrëveshje shumë të mirë për Groenlandën”, duke shtuar; “ndoshta do ta arrij.”

Pak pasi mbërriti në samitin e NATO-s në Ankara, Trump deklaroi gjithashtu se Groenlanda, e cila është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, “duhet të jetë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara”.

Më herët, një zyrtar i lartë amerikan kishte bërë të qartë se, sipas Uashingtonit, marrja nën kontroll e Groenlandës është mënyra e vetme për të përballuar rreziqet afatgjata të sigurisë që lidhen me ishullin.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e hodhi poshtë me vendosmëri këtë kërkesë.

Në fillim të këtij viti, Trump kishte kërcënuar hapur se do të merrte nën kontroll Groenlandën, duke tensionuar marrëdhëniet me Danimarkën, aleate e NATO-s, dhe duke ngritur dyshime mbi kohezionin e aleancës më të madhe ushtarake në botë, si edhe mbi besnikërinë e ndërsjellë mes anëtarëve të NATO-s.

Ai argumentoi se territori që i përket Danimarkës nuk do të ishte i sigurt përballë Rusisë dhe Kinës, duke pretenduar se kjo përbënte një problem për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Më vonë, Trump u tërhoq nga kërcënimi për përdorimin e forcës ushtarake nëse do të ishte e nevojshme dhe hoqi dorë edhe nga paralajmërimi për vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane, në rast se ato nuk do të pranonin t’ia shisnin ishullin SHBA-së.

Megjithatë, ai vazhdoi të këmbëngulë në pretendimet e tij për Groenlandën. Qeveritë e Danimarkës dhe të Groenlandës kanë refuzuar vazhdimisht çdo ide për aneksimin e ishullit nga Shtetet e Bashkuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër