Trump: Vizita e kreut të CIA-s në Moskë mund të sjellë rezultate

Nga D V
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 27 gusht, Zhurnal.mk – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se vizita e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë mund të sjellë zhvillime të reja në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas BBC.

Ratcliffe shkoi në Moskë të martën me një avion ushtarak amerikan dhe u largua vetëm disa orë më vonë.

Vizita e tij nuk ishte njoftuar paraprakisht dhe ka shkaktuar shumë spekulime për arsyen e saj.

Trump nuk tregoi se çfarë u diskutua, por e cilësoi takimin si “pothuajse rutinë”. Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron që lufta në Ukrainë të përfundojë.

Kremlini konfirmoi se Ratcliffe zhvilloi kontakte me shërbimet ruse të inteligjencës, por tha se nuk u takua me presidentin Vladimir Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putini informohet menjëherë për zhvillimet e rëndësishme, por nuk dha detaje për nivelin apo përmbajtjen e bisedimeve.

Trump tha gjithashtu se ishte ende herët për të vlerësuar nëse vizita do të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi, të cilat janë rënduar ndjeshëm nga lufta në Ukrainë.

Sipas një zyrtari të lartë ukrainas, para vizitës, SHBA-ja e kishte informuar Ukrainën se një delegacion i lartë do të shkonte në Moskë dhe i kishte kërkuar Kievit të pezullonte sulmet derisa delegacioni të largohej.

CIA dhe Pentagoni nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare për vizitën.

Analistët i thanë BBC-së se një nga arsyet e mundshme të udhëtimit mund të ketë qenë paralajmërimi i drejtpërdrejtë i Moskës, që të ndalojë aktivitetet e luftës jo-konvencionale kundër vendeve të NATO-s, përfshirë veprime të lidhura me dronë dhe avionë ushtarakë pranë ose mbi territorin e vendeve aleate.

Kjo është vizita e parë e tij e Ratcliffe në Rusi, që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.

SHBA-ja dhe Rusia kanë vazhduar të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta për çështje të inteligjencës dhe sigurisë, pavarësisht tensioneve të mëdha.

Herën e fundit që një drejtor i CIA-s vizitoi Moskën ishte në nëntor 2021.

Atëherë, William Burns paralajmëroi Rusinë të mos dërgonte trupa në Ukrainë.

Pak javë më vonë, Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Vizita e Ratcliffe vjen në një periudhë kur janë rritur tensionet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s, ndërsa bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, të udhëhequra nga SHBA-ja, duket se kanë ngecur.

Një ish-atashe ushtarak britanik në Moskë, John Foreman tha se SHBA-ja zakonisht nuk dërgon një zyrtar kaq të lartë në Moskë, pa njoftim dhe në një kohë kaq të shkurtër, nëse nuk ka diçka të rëndësishme që po ndodh.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër