Porto, 27 shtator Zhurnal.mk – Një avion i kompanisë amerikane Delta Airlines është detyruar të bëjë ulje emergjente në aeroportin e Portos, në Portugali, pasi në kabinë u konstatua prani tymi.
Sipas autoriteteve portugeze të Mbrojtjes Civile, pas incidentit 14 pasagjerë kanë pasur nevojë për ndihmë të parë, ndërsa katër prej tyre, të cilët kishin pësuar dëmtime të lehta, janë transportuar në spitalin Sao Joao për trajtim mjekësor.
Avioni ishte nisur nga Barcelona dhe kishte si destinacion final Bostonin. Në bord ndodheshin gjithsej 296 pasagjerë.
Pas konstatimit të tymit në kabinë, ekuipazhi vendosi të devijojë fluturimin dhe të kryejë një ulje emergjente në Porto, ku shërbimet e emergjencës u vunë në gatishmëri.
Shkaqet që çuan në shfaqjen e tymit në avion nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e incidentit.
