Gjykatësi mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Avdullah Mecinaj, është gjetur pa shenja jete sot në fshatin Klinë e Epërme, në Skenderaj.
Policia e Kosovës rastin e ka cilësuar si vdekje të dyshimtë, transmeton Telegrafi.
“Sot, me datë 28.08.2025, policia në Skenderaj ka pranuar njoftimin se dyshohej për një person pa shenja jete në vendbanimin e tij, në një fshat të Skenderajt. Njësitë policore menjëherë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjithashtu është njoftuar edhe emergjenca e QKMF në Skenderaj. Mjeku ka konfirmuar se personi ishte pa shenja jete. Të gjitha njësitë kompetente kanë dalë në vendin në ngjarjes ndërkaq hetuesit policor me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, ka njoftuar policia.
Tutje, thuhet se pas përfundimit të procedurave në vendin e ngjarjes, me urdhër të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës mashkull, i moshës 65 vjeçare, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion ndërsa sipas rrethanave të gjetura në vendin e ngjarjes, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.
