Policia ka njoftuar se ka finalizuar fazën e shtatë të operacionit të koduar “Relay”, duke arrestuar një grua 35-vjeçare të dyshuar për trafikun e emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Shtetasja E. Ç., banuese në Rrogozhinë, u kap në flagrancë në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë të marrë nga Vorë.
“Si rezultat i një informacioni të marrë për një shtetase e cila do të transportonte disa emigrantë, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, finalizuan operacionin e koduar ‘Relay 7’.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë.
35-vjeçarja u kap në flagrancë, në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Nga hetimet paraprake rezulton se ajo kishte kërkuar nga secili prej tyre 2 mijë e 500 euro, me premtimin për të mundësuar transportin ilegal në Itali.

