“UÇK-ja nuk ishte ndërmarrje kriminale” – OVL e UÇK-së reagon ashpër pas dënimeve

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së) ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e kundërshtuar kategorikisht vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së thotë se aktgjykimi “godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së” dhe, sipas organizatës, lëndon familjet që dhanë bijtë dhe bijat e tyre për lirinë e Kosovës.

“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale. Ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës”, thuhet në reagimin e OVL-së.

Organizata thekson se sakrifica e UÇK-së, sipas saj, ishte pjesë e rrugës që çoi në shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

OVL e UÇK-së shprehet se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta rishkruajë historinë e luftës çlirimtare, duke shtuar se lufta dhe sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës mbeten pjesë e historisë së vendit.

Në reagim, OVL e UÇK-së përsërit edhe qëndrimin e saj të mëhershëm se Gjykata Speciale dhe procesi në Hagë kanë qenë politikë. Organizata e cilëson aktgjykimin si “turp për drejtësinë ndërkombëtare” dhe thotë se ai do të mbetet si një njollë në mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar lufta e UÇK-së dhe sakrifica e popullit të Kosovës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër