Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Ndërmarrja publike “Komunaleci” nga Gostivari thekson se projekti për rinovimin e ujësjellësit të qytetit, i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike – SECO dhe Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, ka përfunduar në masën rreth 98 për qind.
Pas raportimeve në disa media se projekti ka dështuar, nga “Komunaleci” deklarojnë se kjo nuk është e vërtetë dhe se për këtë posedojnë dokumentacion zyrtar.
“Punimet ndërtimore dhe teknike nuk janë kryer nga NP ‘Komunaleci’, por nga kontraktorë të angazhuar me kontratë, në përputhje me dokumentacionin e miratuar të projektit dhe nën mbikëqyrje të dyfishtë profesionale. Sipas dokumentacionit dhe informacioneve që zotëron NP ‘Komunaleci’, rreth 98 për qind e punëve të parapara janë realizuar dhe testuar. Për aktivitetet e kryera ekzistojnë regjistrime teknike, raporte dhe dokumentacion video. Për këtë arsye, nuk është e bazuar që i gjithë projekti të paraqitet si i parealizuar ose si një investim pa rezultat”, thonë nga NP “Komunaleci” – Gostivar.
Nga atje pretendojnë se prej dy vitesh janë duke pritur miratim nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore për të realizuar edhe 600 metra të tjera të trasesë, gjë që do të nënkuptonte lidhjen e plotë të sistemit.
“Për lidhjen e plotë operacionale të sistemit mbetet të kryhen punime në rreth 600 metra të trasesë, në një pjesë për të cilën është e domosdoshme pëlqimi nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore. Edhe pse kërkesa për pëlqim është dorëzuar para rreth dy vitesh, ajo ende nuk është lëshuar. Pa këtë miratim, nuk ekziston mundësi ligjore për të vazhduar me zbatimin e asaj pjese të trasesë. Ky fakt është thelbësor për të kuptuar se pse sistemi ende nuk është vënë plotësisht në funksion. Prandaj, është e nevojshme të bëhet një ndarje e qartë mes zbatimit të projektit dhe pengesave administrative e institucionale që vonojnë lidhjen e tij përfundimtare”, thonë nga ndërmarrja.
Nga NP “Komunaleci” theksojnë se ndërmarrja është e gatshme t’u vërë në dispozicion institucioneve kompetente, trupave auditues dhe organeve hetimore dokumentacionin që posedojnë.
“Nëse ekziston dyshim për lëshim, detyrim të papërmbushur ose shpenzim jo-dedikues të mjeteve, kjo duhet të konstatohet në një procedurë profesionale dhe ligjore, me përcaktimin e saktë të përgjegjësisë së secilit pjesëmarrës në projekt. Në një moment kur qytetarët me të drejtë kërkojnë furnizim të sigurt me ujë dhe përgjigje të qarta, më e rëndësishmja është që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve të dokumentuara, kurse institucionet të orientohen drejt largimit të pengesave të mbetura dhe vënies së plotë të sistemit në funksion”,
thuhet në kumtesë.
Ndryshe, uji në Gostivar është i ndaluar për përdorim, jo vetëm për pirje, por edhe si ujë teknik, pas rezultateve të cilat treguan se ai është kimikisht dhe mikrobiologjikisht i pasaktë.
Për sot është caktuar një konferencë për shtyp e Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim me Sistemin e Menaxhimit të Krizave, ku pritet të shpallen informacionet më të reja rreth gjendjes me ujin nga ujësjellësi i Gostivarit.
