Ulutash: Veriu mbetet i qetë, por ende i ndjeshëm – nevojitet kujdes dhe dialog

Nga D. V.
151 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 prill, Zhurnal.mk – Situata e sigurisë në Kosovë vlerësohet aktualisht si e qëndrueshme, por me elemente të brishtësisë, sidomos në pjesën veriore të vendit.

KFOR thekson se niveli i dhunës i shënuar gjatë vitit 2023 nuk është përsëritur, megjithatë vigjilenca mbetet e domosdoshme.

Komandanti i KFOR-it, Ozgan Ulutash, në një intervistë për mediat serbe ai ka deklaruar se ndonëse gjendja në veri është e qetë, ajo nuk mund të konsiderohet plotësisht stabile.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është gjithashtu aktualisht e qetë. Megjithatë, ajo nuk është plotësisht stabile. Nga këndvështrimi ynë, procesi i tranzicionit nga kryetarët në largim tek ata në ardhje është zhvilluar në mënyrë të qetë. KFOR vazhdon të luajë rolin e tij, duke ofruar një kornizë sigurie dhe hapësirë që dialogu politik të ecë përpara. Kjo është thelbësore për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që përfitojnë të gjitha komunitetet. Rruga drejt stabilitetit afatgjatë është politike. Stabiliteti në Kosovë dhe në rajon varet nga zgjedhja e diplomacisë mbi dhunën nga të gjitha palët”, tha Ulutash.

Ai nënvizoi se zgjidhjet afatgjata nuk mund të arrihen pa një proces politik funksional. Stabiliteti, sipas tij, varet nga përkushtimi i palëve për diplomaci dhe shmangie të dhunës.

Më tej, Ulutash bëri të ditur se KFOR-i po e zbaton mandatin e tij të OKB-së në mënyrë të plotë dhe të paanshme, me fokus në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, përfshirë atë serb.

“Ky është gjithmonë fokusi ynë. Angazhimi ynë ndaj misionit është i palëkundur. Në përgjigje të dhunës së pajustifikuar në vitin 2023, ne kemi rritur numrin e aktiviteteve dhe patrullimeve në veri të Kosovës. Kemi një prani të rregullt atje dhe mbajmë kontakte me të gjithë partnerët tanë për të siguruar shkëmbim në kohë të informacionit dhe transparencë të ndërsjellë. Në përgjithësi, kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën”.

Ulutash përfundoi se, ndërsa KFOR luan një rol kyç në ruajtjen e sigurisë, e ardhmja e qëndrueshme e rajonit varet nga dialogu konstruktiv dhe bashkëpunimi politik mes Prishtinës dhe Beogradit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër