Universiteti Politeknik, rektori Fundo për ATSH-në: 71% e kuotave të plotësuara

nga D. V.

Në Universitetin Politeknik të Tiranës deri tani janë plotësuar 71% e kuotave për vitin e ri akademik, 2025-2026 që nis më 6 tetor.

Rektori i UPT-së, prof. dr. Akli Fundo tha sot, në një intervistë për ATSH-në, se “në raundin e parë të regjistrimeve janë plotësuar kuotat në Fakultetin e Arkitekturës në të treja degët dhe kjo është edhe për shkak të konkursit, që i bën maturantët kandidatë të dedikuar për atë fakultet”.

“Në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit kuotat janë plotësuar mbi 90% dhe nuk bëhen 100% për mënyrën se si studentët që do të ndjekin vitin e parë bachelor do të regjistrohen, por në raundin e dytë të regjistrimeve bëhen 100%”, theksoi Fundo.

Ndërkohë, ka ende kuota të lira në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike si dhe dhe në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave.

Rektori Fundo bëri të ditur se “në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike kemi edhe një degë të re që është Inxhinieria Matematike dhe Data Science (Shkenca e të Dhënave). Në disa degë të këtyre fakulteteve kuotat janë plotësuar mbi 90%, ku në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit numri i studentëve të regjistruar është 118 nga 120 kuota”.

Sipas rektorit Fundo, të gjitha degët e UPT janë të preferuara dhe trendi është në rritje.

“Tek Inxhinieria Informatike ishin mbi 3500 kërkesa për 126 vende. Më të preferuara janë degët e fakulteteve të Teknologjisë së Informacionit, Arkitekturës dhe Urbanistikës, Inxhinierisë së Ndërtimit, Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierisë Mekanike”, tha Fundo.

Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete nis më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 8 tetor.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More