Ushtria e RMV-së shënon 34 vjetorin e themelimit me pajisje të reja dhe standarde të NATO-s

Nga D. V.
521 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Ushtria e Republikës së Maqedonisë sot shënon 34 vite nga formimi, me theks në zhvillimin e kapaciteteve moderne, modernizimin dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s.

Gjatë vitit të kaluar, sipas Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë realizuar projekte të rëndësishme në pajisje, trajnim dhe transformim të njësive ushtarake. Si një nga sukseset më të rëndësishme profesionale veçohet vlerësimi i Grupit të Batalionit të Lehtë të Këmbësorisë në stërvitjen “Blesok 26”. Njësia u vlerësua si “luftarakisht e gatshme për kryerjen e misionit të saj”, duke konfirmuar përgatitjen, pajisjen dhe ndërveprimin me forcat aleate.

Në misionet ndërkombëtare aktualisht janë të dislokuar mbi 180 pjesëtarë të Ushtrisë në Rumani, Bullgari, Letoni, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Liban, si dhe në kuadër të misionit NSATU të NATO-s. Njëkohësisht, mbi 300 pjesëtarë janë të përgatitur për angazhim në përballimin e zjarreve dhe krizave të tjera në vend.

Ushtria ndodhet në një nga ciklet më intensivë të modernizimit që nga formimi i saj. Në vitin 2026 për modernizim dhe pajisje janë ndarë 116 milionë euro, që përbëjnë 32,5 për qind të buxhetit të mbrojtjes. Në përdorim operativ janë futur sistemi artilerik “Boran”, mjetet e blinduara JLTV dhe “Striker”, ndërsa është dorëzuar edhe sistemi kundërajror “Mistral”. Në gjysmën e dytë të vitit pritet ardhja e dy helikopterëve të rinj.

Paralelisht realizohen projekte me SHBA, ndër të cilat është blerja e sistemeve kundërtank “Javelin”, me dorëzime të planifikuara për vitet 2027 dhe 2028. Mbështetje shtesë është siguruar përmes Fondit Evropian për Paqe, me tre paketa ndihme në vlerë prej 38 milionë euro, si dhe 2 milionë euro për Forcat Mjekësore të Ballkanit.

Përveç pajisjes, në fokus janë infrastruktura ushtarake, sistemet pa pilot dhe siguria kibernetike. Për vitet 2026 dhe 2027 janë planifikuar mbi 12 milionë euro për ndërtime në kazermat ushtarake. Institucionet e mbrojtjes theksojnë se kërcënimet moderne të sigurisë kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm të kapaciteteve, veçanërisht në mbrojtjen nga dronët dhe sulmet kibernetike. Në këtë drejtim funksionon edhe Qendra Operative Kibernetike me ekipin ushtarak për reagim ndaj incidenteve kibernetike.

Me pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare, mbështetjen e institucioneve civile dhe investimet në modernizim, Ushtria e shënon 34-vjetorin me fokus në misionin themelor mbrojtjen e pavarësisë, integritetit territorial dhe sigurisë së shtetit dhe qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër