Vajc drejtuar Kosit: Investoni përpjekje maksimale për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë dhe Bullgarisë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit para Komitetit për Punë të Jashtme (AFET), i bëri thirrje eurokomisares për zgjerim, Marta Kos, të investojë përpjekje diplomatike për tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Vajc theksoi se shembull për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe duhet të jetë modeli mes Kroacisë dhe Malit të Zi.

“Dua të theksoj në mënyrë pozitive se si Kroacia dhe Mali i Zi po përballen me çështjet dypalëshe. Dua t’i falënderoj kryeministrin Plenkoviq dhe kryeministrin Spajiq që bisedojnë me njëri-tjetrin, që u ulën në të njëjtën tavolinë dhe që po gjejnë zgjidhje për çështjet dypalëshe. Sepse çështjet dypalëshe në asnjë rast nuk duhet ta pengojnë përparimin në procesin e anëtarësimit, dhe pikërisht kështu duhet vepruar”, theksoi Vajc.

Ai vlerësoi se kjo qasje mund të zbatohet edhe në rastin e Maqedonisë së Veriut, megjithëse theksoi se ndryshimet kushtetuese mbeten pjesë e detyrimeve në rrugën evropiane.

“Mendoj”, theksoi Vajc, “se ky është një shembull i shkëlqyer se si mund t’u qasemi çështjeve dypalëshe që kërkojnë dialog edhe në vende të tjera, siç është Maqedonia e Veriut. Disa nga këto çështje dypalëshe tani janë në nivel evropian, bëhet fjalë për përfshirjen e pakicave dhe në këtë drejtim duhet të realizohen ndryshimet kushtetuese. Por, e përsëris, mënyra e vetme për të dalë nga ky ngërç është që palët të bisedojnë me njëra-tjetrën, përkatësisht qeveritë e Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut të ulen dhe të bisedojnë. Dhe, duke e ditur se motivimi nuk është gjithmonë në nivelin më të lartë, ju lutem, zonja komisionere, të bëni përpjekje në këtë drejtim diplomatik”, i tha Vajc Kosit.

Më herët, eurokomisarja Marta Kos prezantoi paketën e zgjerimit për vitin 2026 për dhjetë vendet kandidate, duke porositur se Bashkimi Evropian i inkurajon të gjitha vendet të avancojnë sa më shpejt.

Lidhur me procesin eurointegrues të Maqedonisë, Kos theksoi se fokusi mbetet te reformat dhe obligimet kushtetuese.

“Komisioni Evropian do të vazhdojë ta mbështesë vendin në rrugën e tij drejt BE-së. Qëllimi ynë mbetet hapja e grupkapitullit të parë sapo të përmbushen kushtet. Vendi duhet ta përmbushë obligimin e tij për përfundimin e ndryshimeve kushtetuese, siç është përcaktuar në konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022. Tani varet nga Maqedonia e Veriut”, tha Kos.

artikuj të ndërlidhura