Vazhdojnë bisedimet për rikonstruimin e Qeverisë, Mickoski sot takohet me ZNAM-in

Nga R.ZH
764 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 qershor, Zhurnal.mk – Procesi i rikonstruimit të kabinetit qeveritar po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa pas takimeve të zhvilluara një ditë më parë me drejtuesit e koalicionit VLEN, kryeministri Hristijan Mickoski pritet të zhvillojë takim edhe me partnerin tjetër të koalicionit qeverisës, lëvizjen ZNAM.

Ministri i Administratës Publike nga radhët e ZNAM-it, Goran Minçev, në një intervistë për Kanal 5, bëri të ditur se partia e tij tashmë ka realizuar një analizë të detajuar të punës dyvjeçare të funksionarëve të saj.

Sipas Minçevit, qëndrimi zyrtar i ZNAM-it është se kuadrot e kësaj partie kanë realizuar me sukses detyrat e tyre dhe se nuk ka arsye për të vënë në pikëpyetje performancën e tyre.

Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski, gjatë shënimit të përvjetorit të VMRO-DPMNE-së dhe para nisjes së konsultimeve për rikonstruimin, dërgoi një mesazh kritik ndaj një pjese të funksionarëve qeveritarë.

Ai deklaroi se për disa prej tyre “më i rëndësishëm është kolltuku sesa populli”, duke shtuar se po ndjek nga afër punën e institucioneve dhe se është i pakënaqur me sjelljen e disa zyrtarëve, të cilët, sipas tij, janë larguar nga parimet mbi të cilat është ndërtuar Qeveria.

Nga Qeveria bëjnë të ditur se bisedimet për rikonstruimin janë ende në një fazë të hershme dhe se procesi është i ndjeshëm, ndaj detajet konkrete për ndryshimet eventuale në kabinet do të bëhen publike vetëm pasi të ketë vendime zyrtare.

Rikonstruimi i Qeverisë pritet të jetë një nga temat kryesore politike në ditët në vijim, ndërsa mbetet të shihet nëse konsultimet mes partnerëve të koalicionit do të sjellin ndryshime në përbërjen e kabinetit qeveritar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër