Prishtinë, 4 shtator Zhurnal.mk – Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkërendim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), po vazhdon inspektimet te operatorët ekonomikë që merren me prodhimin dhe shitjen e bukës në Kosovë.
Inspektimet, të cilat kanë filluar më 25 gusht 2026, kanë për qëllim mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe verifikimin e afatit të vlefshmërisë së peshoreve që përdoren në furra, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimet.
Aksionet e përbashkëta të AMK-së dhe IQMT-së janë zhvilluar fillimisht në rajonin e Prishtinës dhe Fushë-Kosovës, ndërsa inspektimet kanë vazhduar edhe më 1 dhe 3 shtator.
“Si rezultat i interesimit të shtuar të operatorëve ekonomikë, AMK ka pranuar 60 kërkesa nga furrtarët për verifikimin e peshoreve gjatë ditëve të fundit”, thuhet në njoftim.
Inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe do të shtrihen edhe në komuna të tjera të Kosovës.
AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që të kujdesen për verifikimin me kohë të peshoreve dhe matjen e saktë të produkteve.
“Të sigurojnë matjen e saktë të produkteve dhe të respektojnë të gjitha kërkesat ligjore, me qëllim të garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve dhe funksionimit të drejtë të tregut”, thuhet në njoftim.
