Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.
Ky kallëzim lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emrin e Erion Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.
Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.
“Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë IEVP Durrës. Në kallëzim thuhet se mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë”, theksohet në njoftimin për shtyp të Veliajt.
Sipas Veliajt, ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kallëzim kërkohet regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertim grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.
Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, si provë se afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.

