Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, të realizuar me inteligjencë artificiale. Në videomesazhin e tij, Veliaj ndalet te transformimi që administrata e drejtuar prej tij ka bërë për shkollat, kopshtet dhe çerdhet. Veliaj nënvizon se do ta mbajë premtimin për të realizuar edhe projektin e ushqimit falas në shkollat e kryeqytetit.
Veliaj thotë se pas ndërtimit të 170 shkollave, kopshteve e çerdhe të reja për Tiranën, tani do të bëjë realitet edhe drekën falas për çdo nxënës.
“Në 57 shkolla, mbi 14 mijë nxënës e ndanin ditën më dysh. Klasa me 40 apo 50 fëmijë. Prindër që organizonin jetën rreth orareve të pamundura. Mësues që, sado të përkushtuar, nuk kishin kohë për secilin. Këtë gjendje gjetëm. Ta ndryshonim ishte detyra jonë”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Tirana ka sot mbi 50 shkolla të reja dhe 115 kopshte e çerdhe të reja, ndërsa theksoi se “mundësia për të mësuar në një shkollë të mirë duhet t’i takojë çdo fëmije, në çdo lagje, pavarësisht të ardhurave të familjes”.
“Këtë ndryshim e njeh nëna që sot e çon fëmijën në çerdhe pranë shtëpisë. E njeh gjyshi që shoqëron nipin në kopsht me autobus, pa paguar biletë. E njeh familja që i gjen çerdhen, kopshtin dhe shkollën në lagjen e vet. E njeh mësuesja që ka më shumë kohë për çdo nxënës.
Këtë punë nuk e bëra vetëm. E bëmë bashkë, me punonjës që vazhduan edhe natën që dyert të hapeshin në shtator; me miq të Tiranës që dhanë ndihmën e tyre; me mësues dhe edukatore që u japin kuptim këtyre ndërtesave çdo ditë. Dhe mbi të gjitha me ju, prindërit. Çdo shkollë e ndërtuar është një zotim ndaj familjeve të këtij qyteti. Ai zotim duhet mbajtur çdo vit, me mirëmbajtje, me përkushtim dhe me investime të tjera aty ku ende ka nevojë”, vijoi ai.
Veliaj u ndal edhe te një tjetër zotim, siç e konsideron ai premtimin për ushqim falas në shkolla.
“Kam marrë edhe një zotim tjetër, që nuk e harroj: ushqimin në shkolla. Vërtet më kanë kyçur duke më zënë në pritë, por këtë premtim do ta mbaj, sado të duan të më largojnë nga qyteti im dhe i juaji. Tirana është nderi i jetës sime. Për t’ia shpërblyer këtë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”, përfundoi Veliaj.
