Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Ish-deputeti dhe lideri i partisë Republika e Re, Ivon Veliçkovski, përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka theksuar rëndësinë e gjuhës si element thelbësor i lirisë dhe funksionimit të shtetit ligjor.
Në reagimin e tij, Veliçkovski u shpreh se një shtet është i fortë vetëm atëherë kur garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe të drejtën e përdorimit të gjuhës.
“Gjuha është liri. Këtë e dimë më së miri ne maqedonasit. Dhe ne jemi të lirë dhe të fortë kur garantojmë lirinë për të gjithë, përfshirë edhe gjuhën. Kjo nuk është çështje e BDI-së, VLEN-it, VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së. Bëhet fjalë për ndërtimin e një republike të re, për institucione që garantojnë liri dhe të drejta. Kjo është çështje e shtetit ligjor, asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, u shpreh Veliçkovski, transmeton zhurnal.mk.
Pas publikimit të këtij qëndrimi, në profilin e tij në Facebook ka shpërthyer një debat i gjerë mes komentuesve, me qëndrime të ndara lidhur me çështjen e gjuhës dhe interpretimin e saj në kontekstin politik dhe shoqëror.
Ndërkohë, tema e përdorimit të gjuhëve në vend vijon të mbetet një nga çështjet më të diskutuara në opinionin publik, sidomos në raport me zhvillimet e fundit politike dhe kërkesat e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
