Shkup, 30 korrik, Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, sot zhvilloi takim me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas, në të cilin u konfirmua përkushtimi i përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm dhe realizimin e projekteve me mbështetje të BE-së, që sjellin përfitime konkrete për qytetarët.
Në fokus të bisedimeve ishin aktivitetet aktuale dhe të ardhshme në fushat që mbulon Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe vizioni, prioritetet dhe mundësitë për realizimin e tyre të mëtejshëm me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se suksesi i çdo projekti dhe politike matet përmes zbatimit efektiv dhe ndikimit të tyre tek qytetarët, pra nëse masat i arrijnë në kohë dhe në mënyrë efikase ata për të cilët janë të destinuara.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua sfidave demografike me të cilat përballen Evropa dhe Maqedonia e Veriut, si dhe politikave qeveritare të orientuara drejt përmirësimit të trendeve demografike. U diskutua edhe për politikat për të rinjtë, motivimin e tyre për të ndërtuar të ardhmen në vend, si dhe përfshirjen aktive në krijimin e politikave publike.
Po ashtu, u trajtua edhe çështja e përparimit të barazisë gjinore, duke theksuar rëndësinë e politikave që sigurojnë mundësi të barabarta, qasje të barabartë në të drejta dhe shërbime, si dhe pjesëmarrje aktive të grave dhe burrave në të gjitha sferat e shoqërisë.
Në takim u diskutua edhe për përgatitjen e Ligjit për banim social dhe Ligjit për sipërmarrje sociale, të cilët pritet të miratohen së shpejti dhe të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes sociale dhe përfshirjes sociale.
Ambasadori Rokas edhe një herë e konfirmoi mbështetjen e fortë të Bashkimit Evropian për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e partneritetit në zbatimin e reformave.
Në përfundim të takimit, ministri Velkovski dhe ambasadori Rokas shprehën kënaqësi për dialogun konstruktiv dhe konfirmuan përkushtimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me qëllim realizimin e suksesshëm të proceseve reformuese dhe politikave që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe do të përshpejtojnë integrimin evropian të vendit.
