Velkovski: Pensionet do të rriten prej 3 deri në 3.5 për qind

Nga Xh M
764 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 gusht Zhurnal.mk – Masa e rritjes së pensioneve do të bëhet e ditur në fillim të shtatorit, ndërsa sipas të gjithë parametrave dhe të dhënave aktuale, rritja pritet të jetë nga 3 deri në 3.5 për qind, deklaroi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski.

“Presim të përfundojë muaji gusht dhe tashmë javën e ardhshme do t’i kemi parametrat. Më pas do të dalim me shifra konkrete, pasi rritja duhet të përfshihet në pagesën e pensionit të shtatorit, i cili do të merret më 1 tetor”, tha Velkovski në një intervistë për televizionin Sitel.

Ministri theksoi se për momentin mbetet në fuqi dispozita aktuale ligjore, sipas së cilës pensionet rregullohen në mënyrë përqindore. Kjo vjen pas rritjes lineare të pensioneve, me të cilën pensionet u rritën më herët për 7.000 denarë.

Velkovski tha se nuk përjashtohet mundësia për ndërhyrje shtesë në të ardhmen, në varësi të zhvillimit të parametrave ekonomikë dhe politikave të Qeverisë.

“Deri atëherë, në përputhje me politikat dhe dinamikën se si do të lëvizin parametrat e caktuar në shtet, vendimet do të merren më tej. Rritja e ardhshme është në mars të vitit 2027. Deri atëherë mendoj se kemi kohë”, deklaroi ministri.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur më herët një pyetjeje të gazetarëve nëse do të ketë rritje të pensioneve nga shtatori, tha se pensionet do të rriten në përputhje me ligjin, me qëllim mbrojtjen e pensionistëve.

Mickoski kujtoi se pas vendimit të Qeverisë për rritjen lineare të pensioneve, disa individë, të cilët sipas tij ishin të mbështetur nga partitë opozitare, kishin dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e kësaj mase.

“Po, do të ketë indeksim dhe harmonizim të rregullt, në përputhje me ligjin. E dini se kishte iniciativa nga individë, të inkurajuar në prapavijë nga partitë politike, që në Gjykatën Kushtetuese të hapnin çështjen e rritjes lineare të pensioneve. Për t’i mbrojtur pensionistët dhe pensionet, më tej rritja do të bëhet në përputhje me harmonizimet e parashikuara me ligj”, deklaroi Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër