Gostivar, 17 gusht Zhurnal.mk – Situata me pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Gostivarit po shkon drejt stabilizimit, ndërsa zyrtarisht uji është i pijshëm që nga dita e premte. Paralelisht me këtë, spitali ka përfunduar të gjitha procedurat e dezinfektimit dhe po pret konfirmimin përfundimtar nga Ministria e Shëndetësisë për të hapur sallat operative.
Në 24 orët e fundit, numri i pacientëve me simptoma helmimi apo shqetësime të ngjashme ka pësuar rënie të dukshme. Drejtuesit e spitalit konfirmojnë se nuk ka pasur raste të reja me komplikime apo hospitalizime të rënda. Sa i përket sallave të operacionit, në spital është kryer dezinfektimi i plotë horizontal dhe vertikal. Të gjitha mostrat janë marrë dhe aktualisht po pritet vetëm konfirmimi nga Instituti për Shëndet Publik dhe Ministria e Shëndetësisë për të rinisur ndërhyrjet kirurgjikale.
Nga ana tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se Ministria nuk do t’i publikojë rezultatet nga analizat e ujit në Gostivar, meqë ato janë në pronësi të Ndërmarrjes Publike Komunale dhe Qytetit të Gostivarit. Megjithatë, ministri njoftoi se Ministria do t’i publikojë më 20 gusht të gjitha të dhënat për epideminë.
Se NPK „Komunalec“ ka pasur kontratë me Qendrën për Shëndet Publik në Gostivar u konfirmua ditë më parë nga Qendra për Shëndet dhe Komuna e Gostivarit. Se pse nuk u dha alarmi më parë që uji në Gostivar nuk është i pijshëm, tashmë është duke e hetuar Prokuroria, pasi në bazë të kontratës Qendra për Shëndet Publik është dashur të bëjë analiza dy herë në javë. Pompat u vendosën më 25 qershor, ku edhe dyshohet se u helmua uji në Gostivar, ndërsa pacientët e parë shfaqën simptoma më 14 korrik, ose rreth 20 ditë më pas.
