Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtunën kanë organizuar protestë në Shkup, ku kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Blerim Ramadanit, ish-ushtarit të UÇK-së i cili u ndalua nga Maqedonia e Veriut me fletarrest të lëshuar nga Serbia.
Mevludin Bajrami, veteran i luftës, ka dënuar arrestimin e Ramadanit dhe dërgimin në paraburgim, duke e cilësuar këtë akt si të papranueshëm.
Veteranët kërkuan lirimin e menjëhershëm të Ramadanit, “tërheqjen e urdhërarrestit të lëshuar nga regjimi i Vuçiqit dhe mospërsëritjen e veprimeve të autoriteteve policore dhe gjyqësore nën diktatin e Serbisë”.
“Në emrin tim dhe në emrin tuaj i përshëndes të gjithë familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës. Dhe ish ushtarët e UÇK-së. Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe nga gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojmë lirimin e menjëhershëm, tërheqjen e urdhër-arrestit të regjimit të Vuçiqit, dhe mospërsëritjen e vlersimit të autoriteteve policore, gjygjsore nën diktatin e Vuçiqit dhe Serbisë nën diktatin e UÇK-së”, ka thënë Bajrami, transmeton “Klan Macedonia”.

