Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Mali i Zi do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut. Këtë e theksoi zëvendëskryeministri për Çështje të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, gjatë vizitës zyrtare në vend, ku zhvilloi takime të ndara me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, dhe zëvendëskryeministrin Aleksandar Nikollovski.
Ivanoviqi theksoi se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Një nga temat për të cilat kemi biseduar ishte edhe perspektiva evropiane e rajonit tonë, siç e dini Mali i Zi është udhëheqëse e këtij procesi, dhe vendi i cili më së shumti po e shtyn procesin e integrimit evropian dhe presim që pas të gjitha obligimeve që kemi përfunduar. Ne e kemi theksuar se integrimi në BE nuk është i plotë pa integrimin e të gjitha vendeve të rajonit, prandaj ne integrimin e RMV-së në BE do ta ndihmojmë fuqishëm.”, – deklaroi nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Filip Ivanoviq.
Përpos procesit eurointegrues, RMV-ja dhe Mali i Zi, mund të jenë edhe partnerë në zhvillimin ekonomik, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së RMV-së, Aleksandar Nikollovski.
“Atë të cilën e koordinuam para 20 ditëve në Podgoricë, sot po bëhet realitet. U dakorduam që të vendosim linjë direkte ajrore, i cili do të jetë në funksion nga 1 maji, dhe do të fluturojë 2 herë në javë. Me këtë rrisim edhe shkëmbimin e njerëzve, rrisim ekonominë tonë, por edhe rrisim bashkëpunimin tonë. Po ashtu biseduam për lidhjen rrugore, ku ne me ndërtimin e autostradën Shkup – Bllacë, lidhemi me Malin e Zi. Urova homologun tim për reformat në planin e integrimit në BE dhe dëshirojmë që Mali i Zi të jetë anëtare e BE-së sa më shpejt.”, – theksoi zëvendëskryeministri i Qeverisë, Aleksandar Nikollovski.
Ndërsa nga kabineti i kryetarit të Kuvendit theksojnë se Gashi ka përshëndetur të arriturat e Malit të Zi në rrugën evropiane.
“Kryetari e përshëndeti përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke e theksuar rëndësinë e këtij procesi, si dhe sfidat me të cilat përballet RMV-ja në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ai e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë, duke theksuar se të dy vendet ndajnë qëllime të përbashkëta strategjike për integrimin evropian, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.”, – thuhet në komunikatën e kabinetit të Afrim Gashit.
Gjatë vizitës në Shkup, Ivankoviqi realizoi takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Ivankoviqi përshëndeti përpjekjet e RMV-së për integrim në BE, dhe inkurajoi ministrin Mucunski që vendi të vazhdojë edhe më fuqishëm në drejtim të mbylljes së kapitujve dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim.
