Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ndodhet për një vizitë sot Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, me fokus procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Në kuadër të masave të sigurisë për vizitën, bulevardi pranë Kryeministrisë është bllokuar për qarkullimin. Në zonë janë vendosur gardhe metalike, ndërsa janë shtuar efektivët e Policisë së Shtetit dhe autobotet e ujit. Gjithashtu ka pasur edhe disa protestues që janë organizuar përmes rrjeteve sociale, teksa ka patur dhe përplasje me policinë.
Policia nuk i ka lejuar protestuesit të afrohen pranë Kryeministrisë, ndërsa gjatë protestës janë shënuar momente tensioni mes efektivëve të policisë dhe qytetarëve.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e pranishme në protestë, kritikoi masat e marra nga policia dhe kufizimin e lëvizjes së protestuesve. Ajo deklaroi se mesazhi i protestuesve për Presidenten e Komisionit Evropian është që Bashkimi Evropian të mos mbështesë qeveri apo drejtues që i cilësoi si autokratë.
Von der Leyen mbërriti rreth orës 16:30 në Kryeministri, ku po zhvillon një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.
Takimi pritet të zgjasë rreth një orë. Më pas, rreth orës 17:30–18:00, Presidentja e Komisionit Evropian dhe kryeministri Rama pritet të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Vizita e Von der Leyen në Tiranë është pjesë e një turi në katër vende të Ballkanit Perëndimor, në fokus të të cilit është ecuria e procesit të integrimit evropian dhe hapat e mëtejshëm të vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
