VLEN akuzon BDI: Po bërtasin sepse autostrada nuk kalon te tokat e tyre

Nga R.ZH
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj kritikave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me projektin e autostradës Shkup-Bllacë, duke pretenduar se kundërshtimet e partisë opozitare lidhen me interesa private dhe jo me interesin publik, transmeton Zhurnal.mk.

Në një reagim publik, VLEN deklaron se “piskamat e BDI-së” për këtë projekt kanë vetëm një arsye, duke aluduar se trasa e autostradës nuk kalon nëpër zona ku, sipas tyre, janë bërë investime dhe blerje tokash me pritje për përfitime nga procesi i shpronësimit.

“Për herë të parë fitojnë qytetarët, e jo interesat partiake. Kjo është arsyeja e vërtetë e zhurmës së tyre. Përpjekja që autostrada të shërbejë për interesa individuale dhe jo për interes të qytetarit ka dështuar”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas koalicionit qeveritar, trasa e autostradës po realizohet mbi baza profesionale dhe në funksion të interesit publik, ndërsa projekti do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe ekonominë e vendit, si dhe do të forcojë lidhjen strategjike me Kosovën.
VLEN vlerëson se për vite me radhë projekti i autostradës Shkup-Bllacë ka mbetur i bllokuar për shkak të interesave të ngushta politike dhe individuale, ndërsa tani po avancon drejt realizimit.

“Autostrada Shkup-Bllacë është dëshmia më e mirë e dallimit mes dy qasjeve politike: 24 vite premtime pa realizim dhe 24 muaj angazhim që e çojnë projektin drejt përfundimit”, theksojnë nga VLEN.

Koalicioni shton se nuk është pjesë e qeverisë për të mbrojtur interesa private, por për të realizuar projekte që, sipas tyre, për dekada janë përdorur vetëm për propagandë politike.

Debati për autostradën Shkup-Bllacë është intensifikuar ditët e fundit, me akuza dhe kundërakuza mes VLEN-it dhe BDI-së lidhur me trasenë, dinamikën e realizimit dhe menaxhimin e njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër