Tetë të vdekur pas rrëzimit të një bombarduesi B-52 të Forcave Ajrore amerikane

Nga D. V.
985 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kaliforni, 16 qershor, Zhurnal.mk – Tetë persona, mes tyre dy punonjës të kompanisë “Boeing”⁠, humbën jetën pasi një bombardues strategjik B-52 i Forcave Ajrore të SHBA-së, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Baza e Forcave Ajrore “Edwards”, në Kaliforninë Jugore, raportoi BBC.

Aksidenti ndodhi dje rreth orës 11:20 me orën lokale, gjatë një misioni rutinë testimi.

Komandanti i bazës, James Hayes, e cilësoi ngjarjen si një “tragjedi të rëndë”, duke bërë të ditur se viktimat ishin pjesëtarë të ushtrisë, punonjës civilë të qeverisë dhe kontraktorë federalë.

Sipas tij, indikacionet e para tregojnë se aksidenti nuk kishte të mbijetuar.

Autoritetet kanë nisur hetimet, për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit, por theksuan se nuk është arritur ende në asnjë përfundim.

Hetimi fillestar mund të zgjasë deri në 30 ditë, ndërsa analiza e plotë e shkaqeve mund të marrë më shumë se gjashtë muaj.

Kompania “Boeing” konfirmoi se dy prej punonjësve të saj ndodheshin në bord dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom e quajti ngjarjen një “incident tragjik” dhe shprehu solidaritet me familjet e viktimave dhe komunitetin e bazës ajrore.

Bombarduesi “Boeing B-52 Stratofortress” është një nga avionët më të njohur të arsenalit amerikan dhe përdoret që nga vitet 1950.

Ai ka kapacitet të mbajë armë konvencionale dhe bërthamore, ndërsa konsiderohet një element kyç i forcës strategjike ajrore të SHBA-së.

Baza e Forcave Ajrore “Edwards” ndodhet rreth 160 kilometra në veri të Los Anxhelesit, në shkretëtirën Mojave. Operacionet në bazë janë pezulluar përkohësisht pas aksidentit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër