VLEN: BDI dhe Bujar Osmani të përgjigjen për lidhjet me Vlladimir Stajiqin

Nga B.M
565 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 maj, Zhurnal.mk – VLEN në një komunikat për media ka reaguar me akuza ndaj BDI-së dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke kërkuar sqarime lidhur me raportet me Vlladimir Stajiqin, konsull nderi i Serbisë në Maqedoninë e Veriut.

Në reagimin e tyre, VLEN thotë se sa më shumë që BDI flet për ndikim serb, aq më shumë, sipas tyre, dalin në pah lidhjet e vetë kësaj partie me figura dhe projekte që lidhen me Serbinë.

“Ballkani i Hapur, Ohri, Shën Naumi dhe tani edhe Vlladimir Stajiq, konsulli i nderit i Serbisë në pritjet zyrtare të Bujar Osmanit”, thuhet në reagim.

Nga VLEN kërkojnë që Osmani të përgjigjet publikisht për raportin me Stajiqin dhe për praninë e tij në aktivitetet zyrtare gjatë periudhës kur Osmani kryesonte me OSBE-në.

“Bujar Osmani duhet të përgjigjet qartë. Kush është Vlladimir Stajiq për Bujar Osmanin? Pse, në kohën kur Bujar Osmani krekosej me kryesimin e OSBE-së, Stajiqi ishte në pritje zyrtare si konsull i nderit i Serbisë në Maqedoninë e Veriut? Kush e ftoi? Çfarë raporti kishte me të?”, thuhet më tej në reagim.

VLEN gjithashtu deklaron se mbetet kundër çdo ndikimi serb dhe çdo projekti që, sipas tyre, dëmton Kosovën dhe rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

“VLEN është aty ku BDI nuk ishte kurrë, kundër çdo ndikimi serb, kundër çdo projekti që dëmton Kosovën dhe kundër çdo përpjekjeje për ta larguar Maqedoninë e Veriut nga rruga euroatlantike”, theksohet në reagim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër