Shkup, 21 prill, Zhurnal.mk – Koalicioni qeveritar VLEN ka njoftuar se në takimin e sotëm me partnerët e qeverisë është arritur dakordësi e plotë për versionin final të pakos së ligjeve për reforma në arsimin e lartë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sistemit universitar në vend.
Në njoftimin e tyre, nga VLEN theksojnë se reformat nuk përfaqësojnë vetëm ndryshime ligjore, por një angazhim për ndërtimin e një sistemi më cilësor, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.
Një nga ndryshimet kryesore është heqja e Indeksit të Hirshovit (H-Indeksit) si kriter bazë për përzgjedhjen e kuadrit akademik. Sipas VLEN, ky vendim synon një vlerësim më të balancuar dhe meritokratik të stafit universitar, duke garantuar se asnjë i punësuar nuk do të humbasë vendin e punës. Përkundrazi, pritet të vendosen mekanizma të rinj që do të nxisin zhvillimin profesional dhe avancimin akademik.
Nga koalicioni bëjnë të ditur se gjatë përgatitjes së reformës kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me përfaqësues të universiteteve, përfshirë rektorë dhe profesorë, me qëllim që kërkesat reale të institucioneve të reflektohen në ligj, veçanërisht ato të universiteteve në gjuhën shqipe.
Sipas tyre, vendimi që rangimi për organizimin e ciklit të tretë të studimeve të bëhet nga universitetet më të mira synon rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, duke siguruar konkurrencë më të drejtë dhe standarde më të larta akademike.
VLEN thekson se universitetet në gjuhën shqipe nuk do të dëmtohen nga këto reforma, por do të kenë pozitë të barabartë me institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend. Si shembull për mbështetjen ndaj këtij sektori përmendet edhe investimi prej rreth 40 milionë euro për kampusin “Nënë Tereza”.
Në përfundim, nga VLEN theksojnë se reformat synojnë të vendosin themelet e një sistemi arsimor më të drejtë dhe më konkurrues, duke mbetur të përkushtuar ndaj zhvillimit të arsimit të lartë si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë.


