Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – VLEN iu përgjigj publikisht letrës së Ali Ahmetit, kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
„Letra e djeshme e Ali Ahmetit, në të cilën ai publikisht shpreh një sërë dilemash dhe të pavërtetash lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, është vetëm një pamflet propagandistik. Qëllimi i saj është të rrisë konfuzionin dhe të thellojë përçarjet dhe paqartësitë te qytetarët lidhur me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
I nderuar zoti Ahmeti,
Në vitet 2008, 2011 dhe 2018, gjatë tri mandateve qeveritare, një herë me VMRO-në dhe një herë me LSDM-në, Ju dhe partia që drejtoni miratuat tri ligje të ndryshme për gjuhën shqipe. Një herë e quajtët „gjuha e 20 përqindëshit“, ndërsa një herë tjetër gjuhë e shpjeguar në fusnotë dhe në kllapa. Madje, një herë krijuat një përmbledhje të dispozitave nga disa ligje të ndryshme që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës dhe i rishkruat ato në një tekst të vetëm, të cilin e pagëzuat „Ligji për përdorimin e gjuhës që e
që e flasin së paku 20% e popullsisë së shtetit“.
Këtë ligj e miratuat në verën e vitit 2008, me procedurë të shkurtuar në Kuvend, pa debat dhe pa diskutim në seancë plenare, pa asnjë amendament dhe pa u përfshirë asnjë vërejtje për përmirësimin e ligjit. Në heshtje, sikur nga turpi, e kontrabanduat ligjin për gjuhën shqipe, pikërisht atë ligj për të cilin sot flisni me kaq zjarr!
Gjatë viteve të qeverisjes së partisë që drejtoni, vite për të cilat flisni me shumë nostalgji, gjë që është edhe e kuptueshme, megjithatë mbetet një e vërtetë e pakontestueshme: Ju kurrë nuk arritët ta bëni gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me gjuhën maqedonase në nivel institucional!
Manipulimi me gjuhën shqipe, si simboli më i rëndësishëm identitar i shqiptarëve, ju siguroi një qeverisje të gjatë, ndërsa pasojat e zgjidhjeve të pjesshme i ndiejmë çdo ditë edhe sot.
Gjatë viteve në pushtet, fjalimi juaj i preferuar ishte ai për kompromiset. Kështu, sa herë që viheshin në pikëpyetje zgjidhjet që duhej të dilnin nga Marrëveshja e Ohrit, ndërhyrja juaj ishte të shpjegonit se „bëhet fjalë për një kompromis ndërmjet palëve“.
Në këtë mënyrë, shqiptarëve u thuhej rregullisht se ligjet e përkohshme për përdorimin e gjuhës ishin „kompromis i mirë“ dhe se „kompromiset asnjëherë nuk janë absolutisht të kënaqshme për asnjërën palë“.
Në një moment madje deklaruat edhe se „gjuha shqipe dhe përdorimi i saj zyrtar nuk janë prioritet për t’u zgjidhur“!
Si pasojë e kësaj, në fusha me rëndësi thelbësore, siç janë gjyqësori dhe praktika juridike, gjuha shqipe mbeti pa zgjidhje. Sot, gjuha shqipe nuk është zyrtare as në banka, as në ushtri dhe as në polici.
Zoti Ahmeti,
Këto ditë janë aktuale gjykimet për keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga bashkëpunëtorët tuaj më të afërt partiakë. Shtrohet pyetja: nëse, siç pretendoni Ju, gjuha shqipe është zyrtare në praktikën gjyqësore, atëherë pse bashkëpunëtorët tuaj flasin maqedonisht gjatë seancave gjyqësore?!
Ndërsa nipërit tuaj biznesmenë, tashmë të njohur për bizneset e tyre të shumta në sektorin e energjetikës dhe në fusha të tjera fitimprurëse, a kanë biseduar ndonjëherë me Ju dhe a ju kanë njoftuar se në Regjistrin Qendror, ku regjistrojnë kompanitë e tyre të shumta, i gjithë dokumentacioni lëshohet VETËM NË GJUHËN MAQEDONASE?!
Të afërmit tuaj e dinë shumë mirë se gjuha shqipe nuk është aspak zyrtare në këtë institucion të rëndësishëm shtetëror, sepse ligji juaj për gjuhën shqipe nuk i obligon për këtë gjë.
Por, ndoshta nipërit për momentin kanë prioritete të tjera në jetë dhe nuk kanë kohë të merren me „çështje folklorike, siç është gjuha shqipe“?!
Fatkeqësisht, zoti Ahmeti, zgjidhja e vitit 2019 e bën zbatimin e gjuhës shqipe në institucione vullnetar, e jo të detyrueshëm, që do të thotë se nuk është as zyrtar.
Prandaj, sot ASNJË bankë në Maqedoninë e Veriut nuk lejon korrespondencë në ndonjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Kjo nuk vlen vetëm për bankat komerciale si subjekte private, por është e vërtetë edhe për Bankën Popullore, si autoriteti më i lartë bankar i shtetit!
Natyrisht, përderisa ministri juaj i Financave ishte i zënë duke mos bërë asgjë në Ministri dhe duke punuar vetëm për ta ruajtur karrigen e tij, Banka Popullore nuk ndihej e obliguar që në çfarëdo mënyre ta ndryshonte politikën gjuhësore në praktikën e saj!
Gjuha shqipe, i nderuar zoti Ahmeti, nuk është zyrtare as në uniformat policore dhe as në ato ushtarake. Nuk është zyrtare as në dokumentet mjekësore, siç janë udhëzimet, vërtetimet dhe formularët e tjerë që lëshojnë institucionet shëndetësore.
Gjuha shqipe nuk është zyrtare as te avokatët, as te noterët dhe as te përmbaruesit!
Edhe kjo e vërtetë e hidhur është pasojë e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, të cilin e miratuat Ju dhe partia juaj, BDI-ja!
Dhe kjo është e kuptueshme: ndoshta nuk keni informacione të sakta se çfarë ligji të gjymtuar miratoi „ekipi juaj historik i ministrave“ në Qeveri.
Sepse, në vend që të punonin për cilësinë e ligjeve, ata, ministrat legjendarë, kohën e kalonin duke luajtur futboll nëpër zyra, ndërkohë që në terrenin e vërtetë politik partnerët në pushtet u shënonin gola njëri pas tjetrit.
Këto janë vetëm disa nga „sukseset“ e Ligjit për gjuhën shqipe, sipas kritereve të BDI-së.
Është e dhimbshme përpjekja e vazhdueshme për të paraqitur një realitet të shtrembëruar politik dhe shoqëror, sepse kjo u shërben interesave tuaja të momentit politik.
Gjuha toksike dhe armiqësitë që nxitni nuk i shërbejnë qëllimit tonë të përbashkët: të ndërtojmë një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe të zhvilluar, me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Ndoshta qëllimi juaj për ta „mbrojtur“ gjuhën shqipe do të konsiderohej i sinqertë dhe i vërtetë, nëse këtë fushatë do ta kishit nisur me vetëkritikë dhe me pranimin se asnjëri prej tri ligjeve tuaja për gjuhën shqipe nuk e ka zgjidhur dhe nuk e zgjidh plotësisht çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës sonë të bukur“, thuhet në përgjigjen e VLEN-it ndaj letrës së Ali Ahmetit.
