VLEN: Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së dhe as pronë e Ali Ahmetit

Nga D V
619 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, përfaqësues i koalicionit VLEN në konferencë për media ngriti disa pyetje për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, sipas Durmishit i njëjti duhet të jap disa përgjigje.

Tema e konferencës së sotme dhe pyetjet e Durmishit lidhen kryesisht me paraqitjen publike të ish funksionarit të lartë të BDI-së, Gëzim Ostreni, i cili akuzoi Ahmetin se ka pranuar që gjuha shqipe mos të figurojë në Marrëveshjen e Ohrit.

Kumtesa e plotë e VLEN-it e thënë sot në konferencë për media:
Të nderuar,

Ka disa të vërteta që janë të dhimbshme, por duhet të thuhen. Për më shumë se 20 vjet, shqiptarëve u është treguar vetëm njëra anë e Marrëveshjes së Ohrit.

Sot, një pjesë tjetër po del në shesh.

Gëzim Ostreni, një nga aktorët kryesorë të vitit 2001, para gjithë opinionit tha se, derisa Ali Ahmeti drejtonte lojën politike, gjuha shqipe mbeti jashtë Kushtetutës dhe shqiptarët mbetën me formulimin e turpshëm të 20 për qindëshit.

Edhe më e rëndë është se vetë Ostreni mendonte se bëhej fjalë për gjuhën shqipe. Vetëm shumë vite më vonë e kishte kuptuar se në Kushtetutë nuk ishte shkruar “gjuha shqipe”, por gjuha e një komuniteti që përbën mbi 20 për qind të popullsisë.

Madje, sipas vetë Ostrenit, kërkesa ishte që Maqedonia të bëhej shtet shqiptaro-maqedonas. Në fund, gjuha jonë mbeti pa emrin e saj, e fshehur pas përqindjes.

Ne, si brez i ri politik, nuk kemi detyrim t’i ruajmë mitet e askujt. Kemi detyrim t’ua themi shqiptarëve të vërtetën dhe të kërkojmë përgjegjësi për vendimet e marra në emër të tyre.

Prandaj, Ali Ahmeti u detyrohet shqiptarëve një përgjigje.

Çfarë e shtyu që, nga kërkesa për një shtet shqiptaro-maqedonas, të përfundonte duke pranuar që gjuha shqipe të mos përmendej me emrin e saj?

Gjatë gjithë kësaj kohe, Ali Ahmeti ua shiti shqiptarëve vetëm versionin e vet të Marrëveshjes së Ohrit.

Sa herë që BDI-ja kapej ngushtë për korrupsion, dështime apo pazare në kurriz të shqiptarëve, Ali Ahmeti dilte para shqiptarëve duke përdorur Marrëveshjen e Ohrit. E përdori si mburojë për gjithçka që bëri dhe për shumëçka që nuk e bëri. Këtë vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite.

Por Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së dhe as pronë e Ali Ahmetit. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë.

Prandaj, shtrohet edhe pyetja e dytë.

Nëse për gjuhën shqipe ke bërë kompromise, çfarë tjetër nuk u ke treguar shqiptarëve?

Të nderuar,

Ndryshe nga BDI-ja, ne Marrëveshjen e Ohrit nuk e përdorim për t’u lavdëruar, por për ta çuar përpara. Për herë të parë pas 25 vjetësh, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat po e shndërrojmë nga parimi kushtetues në LIGJ, ndërsa decentralizimin po e rikthejmë aty ku e ka vendin, në mesin e prioriteteve kryesore. Këto janë dy shtylla të Marrëveshjes së Ohrit që për më shumë se dy dekada mbetën përgjysmë dhe, siç po duket, u bënë kurban i kompromiseve e pazareve politike të Ali Ahmetit.

Sado e dhimbshme të jetë e vërteta, ajo duhet të thuhet. Sidomos kur në emër të shqiptarëve është folur shumë, ndërsa në kurriz të tyre janë bërë edhe më shumë abuzime.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër