Tetovë, 24 shtator 2026 – Koalicioni VLEN ka intensifikuar aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, ku kandidati i këtij koalicioni, Jakup Huseini, do të garojë me numrin 4 në fletëvotim.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka përcaktuar renditjen e kandidatëve, me Huseinin të renditur në numrin 4. Zgjedhjet për kryetar të Bërvenicës janë caktuar të mbahen më 18 tetor 2026.
Pas përcaktimit të numrit, Huseini e ka cilësuar numrin 4 si “simbol të një fillimi të ri” për Bërvenicën.
“Numri 4 sot po bëhet simbol i një fillimi të ri. Bërvenica VLEN! Ndryshimi më afër se kurrë!”, ka shkruar Huseini në rrjetet sociale.
Nga VLEN-i thonë se aktivitetet në terren tashmë kanë nisur, me takime me banorë në fshatra dhe lagje të ndryshme të komunës. Koalicioni thekson se përmes këtyre takimeve synon të prezantojë programin e tij dhe të dëgjojë kërkesat e banorëve.
Në kuadër të aktiviteteve të fushatës, Huseini ka zhvilluar takime edhe me banorë të Tenovës, nga ku ka deklaruar se, sipas tij, mbështetja për ndryshimin po rritet.
VLEN-i e paraqet kandidaturën e Huseinit si pjesë të një qasjeje të re për drejtimin e Komunës së Bërvenicës, duke vënë theksin te zhvillimi, projektet infrastrukturore dhe bashkëpunimi me institucionet qendrore.
Huseini është njëri nga gjashtë kandidatët që garojnë për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Përveç tij, në garë janë Stojanço Radiçeski, Jovica Radeski, Dushan Bogdanovski, Arife Idrizi dhe Arkin Jahiji.
Fushata zgjedhore për kryetar të Bërvenicës zhvillohet në prag të zgjedhjeve të 18 tetorit, ndërsa kandidatët dhe subjektet politike po prezantojnë programet dhe prioritetet e tyre para qytetarëve.
