VLEN sjell zgjidhje: Në vend të fjalëve boshe dhe manipulimeve, ndërtojmë të ardhme të sigurt për të rinjtë

Nga D. V.
339 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 maj, Zhurnal.mk – VLEN po dëshmon me vepra se politikën e kupton vetëm si përgjegjësi për të sjellë zgjidhje, jo si hapësirë për fjalë boshe dhe premtime pa fund. Misioni ynë është i qartë. T’i korrigjojmë në mënyrë institucionale padrejtësitë që për dekada janë grumbulluar si pasojë e zgjidhjeve gjysmake dhe pazareve politike të së kaluarës.

Studentët dhe gjeneratat e reja janë pasuria jonë më e madhe. Detyra e tyre është të mësojnë, të përparojnë dhe ta ngrenë lirshëm zërin për të drejtat e tyre. Prandaj dërgojmë një porosi të qartë dhe të fuqishme për opinionin. Nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që pas iniciativave të sinqerta studentore të fshihen politikanë të komprometuar dhe struktura të sëmura për pushtet, të cilët brenda natës u bënë “të shqetësuar” për të drejtat që vetë i shkelën dhe i injoruan për më shumë se dy dekada.

VLEN gjen zgjidhje për të gjitha problemet e pazgjidhura dhe të trashëguara. Këtë e kemi dëshmuar me vepra.
Studentët protestuan kundër padrejtësive që burojnë pikërisht nga koha e BDI-së, kohë kur pesë ministra shqiptarë të Drejtësisë nuk lëvizën as gishtin për ta zgjidhur çështjen e gjuhës amtare. Ata që me vite ia ngushtuan frymën rinisë, sot nuk mund ta instrumentalizojnë të ardhmen e saj për ta shpëtuar kapitalin e tyre politik.

Ne nuk fshihemi nga problemet. Ne përballemi me to.
Kërkesa e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën amtare po zgjidhet në rrugë institucionale. Në takimin e punës me kryeministrin është arritur marrëveshje konkrete që institucionet të gjejnë zgjidhje dhe tashmë po punohet në mënyrë aktive në këtë drejtim, në interes të qytetarëve.

Studentët kërkuan zgjidhje për provimin e jurisprudencës, por VLEN shkoi një hap më tej. Ne e pamë problemin në tërësi dhe tashmë po punojmë për zgjidhje ligjore që të gjitha provimet profesionale dhe licencat pasuniversitare për punë të jenë të qasshme për të rinjtë në gjuhën e tyre amtare. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem të drejtë dhe logjik. Ai që ka studiuar në shqip, të ketë të drejtë edhe licencën për punë ta marrë në shqip.
Kur VLEN merr përsipër zgjidhjen e problemeve të trashëguara, ato bëhen realitet. Siç u zgjidh me sukses çështja e provimeve profesionale mjekësore për mjekët dhe stomatologët në gjuhën amtare, siç u zgjidh e drejta e edukatoreve në çerdhe, siç u sollën zgjidhje dinjitoze dhe të shumëpritura për statusin e Medresesë dhe për dislokimin e kazinove, ashtu shpejt dhe me efikasitet do t’i mbyllim edhe padrejtësitë e tjera që me vite janë mbajtur peng.
VLEN vazhdon të punojë vetëm në interes të qytetarëve. Në vend të politikës destruktive dhe bllokadave, të rinjtë te VLEN-i kanë një partner që krijon barazi, dinjitet dhe përfaqësim real në institucione. Detyra jonë është të krijojmë kushte ku të rinjtë nuk do të kenë më nevojë të protestojnë për të drejtat e tyre, por do të kenë arsye të festojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen këtu, në vendin e tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër