Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së kërkoi që seanca mbikëqyrëse për zhvillimet lidhur me Alta Bankën të mbahet nesër, më 5 nëntor, në orën 11:00. Deputeti Bojan Stojanoski deklaroi se partia ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për të kërkuar nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet, Sanja Llukarevska, caktimin urgjent të seancës.
Stojanoski kujtoi se të hënën Komisioni në mënyrë unanime kishte marrë vendim për mbajtjen e një seance mbikëqyrëse për Alta Bankën, ndërsa VMRO-DPMNE kishte kërkuar që ajo të organizohej sa më shpejt.
Sipas tij, në koordinimin e sotëm të grupeve parlamentare ishte propozuar që seanca të mbahej që nesër, por nga ana e LSDM-së kishte hezitim rreth terminit të propozuar.
“Ne propozuam t’i shkurtojmë të gjitha procedurat e mundshme të parashikuara me Rregulloren, që të mund t’i ftojmë mysafirët gjatë ditës së sotme të punës dhe t’u japim përgjigje të caktuara të gjitha pyetjeve të hapura lidhur me këtë temë”, deklaroi Stojanoski.
Ai theksoi se deri në momentin e deklaratës së tij nuk kishin marrë përgjigje për kërkesën, prandaj, duke u thirrur në nenin 126, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit, kanë siguruar nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve dhe zëvendësanëtarëve të Komisionit për Financim dhe Buxhet.
“Ne kërkojmë nga ajo që ta caktojë seancën mbikëqyrëse nesër, në orën 11:00, sepse konsiderojmë se kjo temë e rëndësishme meriton përgjigje tani dhe menjëherë”, tha Stojanoski.
Deputeti theksoi se qëllimi nuk është politizimi i rastit, por marrja e përgjigjeve për çështjet me interes publik. Sipas tij, nuk ka arsye për shtyrje të mëtejshme, pasi Komisioni ka pasur kohë që nga e hëna për t’i zbatuar procedurat e nevojshme.
“Hajde të mos e shtyjmë më dhe nesër, menjëherë dhe pa vonesë, ta mbajmë seancën mbikëqyrëse”, bëri thirrje Stojanoski.
Ai shtoi se deputetët e VMRO-DPMNE-së do t’i parashtrojnë pyetjet që e interesojnë opinionin publik, duke vlerësuar se rreth rastit po krijohet panik i panevojshëm dhe se qytetarët meritojnë përgjigje.
