Vonohen dëmshpërblimet për bujqit në Pollog

Nga Xh M
514 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 25 prill Zhurnal.mk – Edhe pse për vite të tëra jetonte nga të ardhurat e pemëve të mbjella në këtë tokë, ndërtimi i Korridorit 8 ia ndërpreu kontratën tridekadëshe për punimin e saj. Amet Ismaili nga Sedllarca e Bogovinës thotë se nuk është kundër projekteve në interes publik, por shpreh pakënaqësi ndaj Ministrisë së Bujqësisë, e cila, sipas tij, prej më shumë se një viti nuk ka realizuar pagesën e kompensimit, ndonëse mjetet janë siguruar nga kompania ndërtuese Bektel&Enka.

“Kaloi një vit, të hollat nuk na lëshohen neve që të ngremë sipërfaqe të reja të pemëtarisë. Ne e kemi këtë biznes familjar. Me shkatërrimin e kësaj plantazhe këtu që e shihni, ne kishim ndërmend me ato paratë të ngremë plantazh tjetër, mirëpo nuk kemi mundësi. Me këtë problem nuk u ndesha vetëm unë, por u ndesh edhe një masë e madhe tjetër njerëzish. Edhe nuk zgjidhet problemi, nuk ndërhyjnë, nuk marrin masa qeveria. Ministria e Bujqësisë nuk merr masa, qeveria domethënë nuk merr asnjë aktivitet për ta zgjidhur këtë problem,” deklaroi Ahmet Ismaili, Pemëtar.

Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, thotë se nuk ka qenë i informuar për këtë rast dhe se do të kërkojë verifikim të menjëhershëm.

“Për herë të parë dëgjoj për një problem të tillë me dëmshpërblimin. Do të duhet të verifikohet nëse ekziston ndonjë pengesë juridike. Megjithatë, sipas ligjit, çdo person që i ndërpritet kontrata dhe ka pasur investime duhet të kompensohet në bazë të vlerësimit të ekspertëve.” tha Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.

Raste të ngjashme me atë të Ahmet Ismailit në rajonin e Pollogut janë të shumta. Bujqit thonë se presin prej muajsh realizimin e dëmshpërblimeve, me shpresën se do të mund të rifillojnë aktivitetin e tyre dhe të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër