Berlin, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e Ukrainës, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, përpara se të nisej drejt Varshavës, ku do të takohet me homologët e tij në kuadër të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik.
Gjermania mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj, se vendimet për të ardhmen e Ukrainës nuk duhet të merren pa Ukrainën dhe vendimet për sigurinë e Evropës nuk duhet të merren pa Evropën”, tha Wadephul, duke iu referuar bisedimeve që pritet të zhvillohen javën e ardhshme në Abu Dabi mes Kievit, Moskës dhe Uashingtonit.
Negociatat e fundit në formatin tripalësh, ku marrin pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Ukraina, u zhvilluan në Gjenevë në shkurt. Përpara tyre, u mbajtën edhe dy raunde bisedimesh në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Wadephul shtoi se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, theksuan gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën me vendosmëri.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të arrihet një marrëveshje paqeje afatgjatë për Ukrainën dhe të garantohet siguria e Evropës.
“Prandaj, duhet të qëndrojmë së bashku dhe të paraqitemi të bashkuar përballë Rusisë, si aleancë transatlantike, si evropianë dhe amerikanë”, deklaroi ai.
Ministri gjerman theksoi se qeveria në Berlin, vazhdon të mbajë kontakte të ngushta dhe të ketë bashkëpunim të koordinuar si me administratën amerikane, ashtu edhe me Kongresin e SHBA-së.
Ai e cilësoi partneritetin transatlantik si një element bashkues përtej ndarjeve partiake.
Këshilli i Shteteve të Detit Baltik u krijua në vitin 1992, me nismën e Gjermanisë dhe Danimarkës, për të mbështetur transformimin politik dhe ekonomik të rajonit.
Anëtarë të tij janë Gjermania, Danimarka, Estonia, Finlanda, Lituania, Letonia, Polonia dhe Suedia, si dhe Islanda, Norvegjia dhe Bashkimi Evropian.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, anëtarësimi i Moskës në këtë organizatë, u pezullua në mars të po atij viti. Rusia u tërhoq nga Këshilli në maj 2022.
