Wayne Rooney ka kritikuar Mohamed Salah, duke sugjeruar se Arne Slot nuk duhet ta përfshijë anësorin në ndeshjen e fundit të sezonit për Liverpoolin.
Salah u rikthye nga dëmtimi të premten e kaluar dhe luajti ndeshjen e tij të parafundit me “Reds”, në humbjen 4-2 ndaj Aston Villës. Ai pritet të bëjë paraqitjen e tij të fundit në “Anfield” të dielën, kur Liverpooli e mbyll sezonin kundër Brentfordit.
Në varësi të rezultatit të Bournemouthit ndaj Manchester Cityt të martën dhe nëse Aston Villa e fiton apo jo Ligën e Evropës, Liverpoolit mund t’i duhet fitorja ndaj “Bletëve” për të garantuar kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Por Salah shkaktoi debat gjatë fundjavës, pasi la të kuptohet se stili i Slot nuk i përshtatet Liverpoolit, duke shtuar se dëshiron që ekipi të luajë “futboll sulmues”, si në kohën e Jurgen Klopp.
Rooney mendon se Slot duhet të reagojë ashpër ndaj egjiptianit.
“Më duket e trishtueshme në fund, duke parë çfarë ka bërë dhe çfarë ka arritur te Liverpooli. Nuk është e drejtë që të dalë dhe t’i japë një tjetër goditje Slotit”, tha ish-sulmuesi i Manchester United dhe Evertonit në emisionin “The Wayne Rooney Show”.
“Ai thotë se do ‘futboll sulmues’, pra në thelb po thotë se do futbollin e Jurgen Klopp. Tani unë nuk mendoj se Mo Salah mund ta përballojë më atë lloj futbolli. Mendoj se këmbët i kanë ikur për të luajtur me atë ritëm dhe intensitet të lartë”.
Rooney solli edhe një shembull nga përvoja e tij te Manchester United.
“Nëse do të isha Arne Slot, nuk do ta doja askund pranë stadiumit në ndeshjen e fundit. Unë e kam pasur me Alex Ferguson. Patëm një mosmarrëveshje dhe në ndeshjen e fundit të Alex Ferguson në Old Trafford, ai më la jashtë skuadrës për këtë arsye”, shtoi Rooney.
Sipas tij, deklaratat e Salah kanë krijuar tension të panevojshëm edhe për pjesën tjetër të ekipit.
“Ai pothuajse e hodhi granatën dhe tha se nuk i beson Arne Slotit dhe pothuajse i ka futur edhe shokët e skuadrës që do të jenë aty sezonin e ardhshëm, duke i lënë ata ta përballojnë këtë situatë”.
Salah këtë sezon ka regjistruar 21 kontribute në gola (gola/asiste) në 40 paraqitje në të gjitha garat – shifra më e ulët në një sezon gjatë karrierës së tij te Liverpooli.
“Mendoj se Salah po përpiqet ta justifikojë veten dhe të ndihet më mirë, sepse ka pasur një sezon shumë të dobët”.
“Ka qenë shumë egoist në atë që ka bërë në dy raste. Është për të ardhur keq dhe tifozët do të jenë në anën e tij, por kur e sheh më thellë dhe duke qenë në dhomën e zhveshjes në një situatë të ngjashme, Salah e di saktësisht çfarë po bën”.
Rooney insistoi se një lojtar nuk mund ta mosrespektojë publikisht trajnerin.
“Ky është trajneri yt. Nuk mund ta mosrespektosh publikisht dy herë ashtu siç ka bërë ai dhe të kalojë pa pasoja. Dhe po të isha Arne Slot, do të duhej ta vendosja autoritetin dhe t’i thosha: nuk po vjen askund pranë, të pëlqejë apo jo. Dyshoj shumë se do ta bëjë, por mendoj se duhet”.
“Sigurisht që ai e meriton një përcjellje të mirë, por a e meriton për këtë? Është hera e dytë që e bën. Është për të ardhur keq të shohësh një nga ikonat më të mëdha të Ligës Premier të largohet në këtë mënyrë”.


