Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – “Ka kohë për konferenca për shtyp, përplasje të përditshme politike dhe vetëlavdërime, por nuk ka kohë të respektohet detyrimi ligjor ndaj studentëve! Për këtë arsye, Partia Liberal-Demokratike (LDP) ngriti padi në Gjykatën Administrative kundër Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mosnxjerrjen e një akti administrativ për harmonizimin e shujtës së subvencionuar studentore për vitin 2026. Faktet duken dërrmuese”, thonë nga LDP.
“Në vitin 2023 inflacioni ishte 9,4%, në vitin 2024 ishte 3,5%, ndërsa në vitin 2025 ishte 4,1%. Por, pavarësisht detyrimit ligjor për harmonizim, studentët vazhdojnë të marrin vetëm 140 denarë. Me harmonizimin e përllogaritur, shujta studentore në vitin 2026 do të duhej të ishte rreth 17% më e lartë.
Dallimi ndoshta ndonjë funksionari të ulur në ndonjë kolltuk në institucionet që as nuk e dimë se ekzistojnë i duket i parëndësishëm, por për një student që çdo ditë përballet me rritje të mprehta të çmimeve, çdo denar ka rëndësi më të madhe.
LDP nuk do të lejojë që ligjet të zbatohen në mënyrë selektive, në mënyrë të rreptë për qytetarët, ndërsa sipas dëshirës së institucioneve kur bëhet fjalë për detyrimet e tyre”, thuhet në reagimin e LDP-së.
“Meqenëse ju nuk e zbatoni ligjin, ne do ta çojmë drejtësinë deri në fund. Fillojmë me një padi në Gjykatën Administrative për hapjen e një kontesti administrativ për mosrespektimin e ligjit, pas së cilës do të vijojë një Iniciativë për vlerësimin e ligjshmërisë së pagesës së shujtës studentore. Këto janë bazat e padisë që do të dorëzohen, sepse studentët do ta marrin atë që u takon në përputhje me nenin 2 të ligjit. Nëse ka para për Fetain dhe lloj-lloj marrëzish, do të ketë para edhe për studentët. Dhe ligji duhet të zbatohet!”, deklaroi kryetarja e LDP-së dhe deputete në Kuvend, Monika Zajkova.
“Nga LDP theksojnë se me padinë kërkojnë që Ministria të obligohet të nxjerrë një akt administrativ me të cilin do të përcaktohet lartësia e harmonizuar ligjërisht e shujtës studentore.
Studentët nuk janë të detyruar të paguajnë çmimin e papërgjegjshmërisë institucionale!”, shtohet në kumtesën e LDP-së.
