Romë, 23 tetor Zhurnal.mk – Karabinierët në Asti kanë goditur një grup të dyshuar për trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme, pas një hetimi që nisi me sekuestrimin e 22 kilogramëve kokainë dhe përfundoi me zbulimin e një plantacioni të madh kanabisi në zonën malore të Val di Lanzo, në Itali.
Operacioni i fundit ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 1,200 bimëve të kanabisit, me një vlerë të përllogaritur në treg prej mbi 1 milion eurosh. Kjo shumë i shtohet vlerës së kokainës së sekuestruar në prill, e cila, sipas autoriteteve, arrinte të paktën 4 milionë euro në tregun e shitjes me pakicë.
Hetimi nisi pas arrestimit në prill të shtetasit shqiptar Artur Hysenaj, 47 vjeç, në banesat e të cilit në rrugët Vayra dhe Pallio u gjetën 22 kilogramë kokainë.
Sasia e drogës përbënte një rekord për një sekuestrim të vetëm në zonën përkatëse, ndërsa vlera e saj në tregun e shitjes me pakicë vlerësohej në të paktën 4 milionë euro.
Gjatë kontrolleve, karabinierët zbuluan edhe një arsenal armësh, që përfshinte katër pistoleta me numra serialë të fshirë, një silenciator artizanal dhe më shumë se 200 fishekë, mes tyre edhe municione luftarake.
Një muaj më parë, Hysenaj u dënua me 10 vite burg në përfundim të një gjykimi të zhvilluar me procedurë të shkurtuar.
Megjithatë, karabinierët e njësisë hetimore të Asti-t vijuan punën për të zbardhur lidhjet e mundshme të tij me persona të tjerë dhe për të identifikuar aktivitetin e plotë të grupit.
Në korrik, hetuesit identifikuan dhe denoncuan pesë persona të tjerë, gjithashtu shtetas shqiptarë, të cilët dyshohet se kishin lidhje me Hysenajn dhe ishin të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Pas disa muajsh verifikimesh të mëtejshme, të martën e kaluar karabinierët zhvilluan 13 kontrolle në banesa dhe prona të personave të lidhur me grupin e dyshuar.
Kontrollet u kryen në qytetin e Asti-t, në disa komuna të provincës dhe në një objekt në Coassolo Torinese.
Pista kryesore e hetimit i çoi efektivët në Val di Lanzo, në një zonë malore, të izoluar dhe të mbuluar me pyje, ku dyshohej se ishte ngritur një plantacion kanabisi. Dyshimet u konfirmuan kur karabinierët hynë në një kapanon të madh, të përshtatur për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura.
Brenda objektit u zbuluan më shumë se 1,200 bimë, të kultivuara në kushte të kontrolluara. Sipas vlerësimeve të autoriteteve, vlera e prodhimit të gjetur kalon 1 milion euro.
Në vendngjarje u arrestua një shtetas shqiptar, banues në Asti, i dyshuar si kujdestari i plantacionit. Ai u dërgua në burgun e Ivreas. Ajo që u zbulua brenda kapanonit i habiti hetuesit për shkallën e organizimit dhe pajisjet e përdorura.
Objekti ishte kthyer në një serë të madhe të mbyllur, e pajisur me sisteme të kushtueshme ventilimi, ndriçimi të kontrolluar dhe ngrohjeje, për të ruajtur kushtet e nevojshme për rritjen e bimëve.
Sipas hetimeve, i gjithë sistemi furnizohej me energji elektrike të marrë në mënyrë të paligjshme nga rrjeti publik. Personat e përfshirë dyshohet se kishin realizuar një lidhje të fshehtë, duke kaluar kabllot nën tokë për të shmangur zbulimin.
Konsumi ditor i energjisë vlerësohet të ketë qenë nga 80 deri në 100 kilovat-orë, shumë më i lartë se konsumi i zakonshëm ditor i një banese, i cili sipas të dhënave të raportuara llogaritet nga 3 deri në 6 kilovat-orë.
Në përfundim të operacionit, bilanci i hetimeve përfshin drogë të sekuestruar me vlerë të përgjithshme mbi 5 milionë euro, dënimin e Artur Hysenajt me 10 vite burg, arrestimin e kujdestarit të plantacionit dhe denoncimin e pesë personave të tjerë.
Gjithashtu, dy persona të tjerë janë nën hetim pasi gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën municione për armë zjarri dhe sasi të vogla të lëndëve narkotike.
Në operacion morën pjesë edhe njësi të specializuara të karabinierëve, përfshirë skuadrat operative speciale (SOS) nga regjimenti me bazë në Moncalieri, njësitë e ndërhyrjes së parë (API) të Torinos, teknikë të ROS-it dhe qen të trajnuar për zbulimin e drogës dhe eksplozivëve.
Hetimet synojnë të zbardhin më tej përmasat e rrjetit dhe lidhjet mes personave të përfshirë në aktivitetet e dyshuara kriminale.
