Autoritetet franceze dhe senegaleze kanë zbuluar një rrjet kriminal ndërkombëtar të dyshuar për abuzim të rëndë të të miturve, i cili vepronte nga Bove (Beauvais) në veri të Francës deri në Sali (Saly), në bregdetin perëndimor të Afrikës.
Sipas gazetës franceze “Le Monde”, policia senegaleze ka arrestuar 14 persona të dyshuar për pedofili në grup, nxitje dhe përdhunim të djemve të mitur, si dhe për transmetim të qëllimshëm të virusit HIV. Hetimi po udhëhiqet nga departamenti francez i hetimeve kriminale, ndërsa të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Senegalit.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një grup të organizuar që kryente të ashtuquajturin “trajnim seksual” të djemve rreth moshës 15-vjeçare. Abuzimet dyshohet se janë filmuar, ndërsa disa nga të dyshuarit janë përshkruar si “trajnerë seksualë”.
Sipas pretendimeve, katër nga të arrestuarit kanë pranuar se kanë vepruar sipas urdhrave të një shtetasi francez, për të cilat kanë marrë kompensim financiar. Hetimi vazhdon me qëllim përcaktimin e përmasave të plota të rastit dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.

