Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare kineze Chen Xi deklaroi të martën se Forcat Detare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore kanë kryer me sukses një provë me një raketë strategjike të lëshuar nga një nëndetëse, duke arritur objektivat e paracaktuar.
Chen i bëri këto deklarata në përgjigje të një pyetjeje të mediave, duke theksuar se lëshimi provë ishte një pjesë rutinë e stërvitjeve vjetore të ushtrisë dhe është në përputhje me ligjin dhe praktikat ndërkombëtare.
Zëdhënësi sqaroi se Kina i kishte njoftuar paraprakisht vendet përkatëse, duke treguar kështu hapjen dhe transparencën e ushtrisë kineze.
Chen ripohoi angazhimin e Kinës në rrugën e zhvillimit paqësor, si edhe në ndjekjen e një politike të mbrojtjes kombëtare me karakter mbrojtës e të një strategjie bërthamore të vetëmbrojtjes.
Ai theksoi se Kina gjithmonë i ka mbajtur kapacitetet e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për sigurinë kombëtare dhe nuk zhvillon garë armësh bërthamore me asnjë vend.
Modernizimi i forcave bërthamore të Kinës ka për qëllim mbrojtjen e sigurisë strategjike kombëtare dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë strategjike globale, shtoi Chen.
