Shkup, 15 Mars, Zhurnal.mk – Analisti politik Arsim Zekolli ka reaguar ndaj, siç e quan ai, heshtjes së ambasadave perëndimore lidhur me zhvillimet politike dhe çështjet që prekin shqiptarët në Maqedonia e Veriut.
Përmes një reagimi publik, Zekolli vlerësoi se një nga gabimet historike të shqiptarëve ka qenë pranimi i çarmatimit vullnetar në periudhën 2002–2004, duke shtuar se ky hap, sipas tij, u bë nën presionin e faktorëve ndërkombëtarë.
“Heshtja e ambasadave perëndimore, të NATO-s, të BE-së dhe të SHBA-së dëshmon se gabimi më fatal historik për shqiptarët ka qenë pranimi i çarmatimit vullnetar në periudhën 2002-2004. Ja si u shpërbly ky gjest i shqiptarëve”, ka shkruar Arsim Zekolli, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas tij, kërkesa për çarmatim është shtyrë fuqishëm nga vendet perëndimore, veçanërisht nga Gjermania, ndërsa ai pretendon se standarde të ngjashme nuk janë aplikuar në raste të tjera në rajon, si në Bosnje dhe Hercegovinë apo në Kosovë.
Zekolli ka komentuar gjithashtu edhe vizitën në Shkup të sekretarit të përgjithshëm të NATO, Mark Rutte, duke kritikuar vlerësimet pozitive që, sipas tij, iu dhanë figurave politike nga skena maqedonase, përfshirë edhe ish-ministren e mbrojtjes Radmila Shekerinska.
Në reagimin e tij, ai thekson se në diskursin publik evropian shpesh përmenden “kompromiset multietnike”, ndërsa sipas tij në praktikë vlerësohet fuqia politike e strukturave monoetnike.
Analisti politik gjithashtu ngriti çështjen e përfaqësimit etnik në struktura të caktuara të sigurisë, duke përmendur njësinë speciale “Tigrat”, për të cilën tha se vazhdon të mos ketë përfaqësim të shqiptarëve edhe pas dekadash ekzistence.
Deklaratat e Arsim Zekolli vijnë në një kohë kur në opinionin publik në Maqedonia e Veriut vazhdojnë debatet për barazinë etnike, funksionimin e institucioneve dhe rolin e faktorëve ndërkombëtarë në proceset politike në vend.
Zekolli: Heshtja e Ambasadave perëndimore, dëshmon gabimin historik që shqiptarët pranuan çarmatimin vullnetar
1,845
