Qendër Zhupë, 3 janar – Kandidati i vetëm për kryetar të komunës Qendër Zhupë, nga Partia Demokratike Turke, Arjan Ibraim, vazhdon me shpalosjen e programit të tij, duke premtuar investime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Poashtu Ibraim thotë se do të angazhohet edhe për hapjen e vendeve të reja të punës, që popullsia e kësaj komune të mos jetë e detyruar që perspektivën ta sheh në mërgim.
“Programi ynë parashikon zgjidhje të problemeve me rrugët lokale, infrastrukturën dhe gjithashtu problemin më të madh për të cilin ne jemi të sfiduar, është rruga rajonale. Ne jemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me përfaqësues të qeverisë, qeverinë në përgjithësi dhe me institucione të tjera, që rruga rajonale në afat sa më të shkurtër kohorë të zgjerohet. Ne, gjithashtu jemi të përkushtuar edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, si dhe në përmirësimin e cilësisë dhe standardit jetësor në komunën tonë.” – thotë Kanddiati i PDT për kryetar të Qendër Zhupës, Arjan Ibraim.
Me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sidomos me rregullimin e rrugës rajonale, Ibraim thotë se komuna Qendër Zhupë, do të ishte më tërheqëse edhe për investitorët, gjë që do të ndikonte dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.
