Kamerat “Safe City” në përfundim e sipër në Kumanovë

Nga B.M
950 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kumanovë, 3 janar – Përveç Shkupit, Kumanova dhe Tetova janë komunat në të cilat po lançohet “Safe City”, sistemi elektronik për zbulimin e shkeljeve të trafikut. Në Kumanovë kamerat në fjalë janë në instalim e sipër. Të njejtat tashmë janë instaluar në disa pjesë të qytetit. Periudha e testimit është duke vazhduar, por sistemi nuk është ende plotësisht aktiv.

Duke filluar nga hyrja e Kumanovës, kamerat “Safe City” janë instaluar tashmë përgjatë dy bulevardeve kryesore, zonës qendrore dhe rrugëve rajonale.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njohton se instalimi i kamerave në Kumanovë nuk është përfunduar ende plotësisht.

“Po punojmë për zbulimin e pikave kritike ku do të instalohen kamerat. Tani për tani, është duke u zhvilluar një periudhë testimi në të cilën duhet të përcaktojmë nëse ka ndonjë mangësi dhe palogjikshmëri në sistem” – thonë nga MPB.

Nga 1 shkurti, kur edhe përfundon periudha testuese, qytetarët nuk do të marrin më paralajmërime, por gjoba. Banorët e Kumanovës shpresojnë se sistemi do të kontribuojë në rregullimin e trafikut kaotik në qytet. Ata presin që gjobat ti edukojnë qytetarët të mos i shkelin rregullat në komunikacion.

Aktualisht, ata thonë se njerëzit ngasin mbi shpejtësinë e lejuar, parkojnë ku të arrijnë.

Trotuaret bllokohen nga makinat dhe shoferët nuk u japin përparësi as këmbësorëve. Kurse dëshmi e mosrespektimit të rregullave në komunikacion janë aksidentet e shpeshta madje edhe me fatalitet.

Të përkujtojmë se kamerat nga sistemi “Qytet i Sigurt” janë instaluar tashmë në autostradat “Nënë Tereza” dhe “Miqësia”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër