Bagdad, 28 prill, Zhurnal.mk – Presidenti i ri i Irakut, Nizar Amedi ka ngarkuar një biznesmenin me formimin e qeverisë, duke i dhënë fund muajve të ngërçit politik pas zgjedhjeve parlamentare të nëntorit.
Ky veprim vjen pasi koalicioni qeverisës i Irakut, “Korniza e Koordinimit”, i dha fund një prej krizave më komplekse politike të vendit në gati pesë muaj duke rënë dakord të emërojë Al-Zaidi si kryeministër të ri.
Koalicioni e propozoi al-Zaidin pasi kryeministri aktual, Mohammed al-Sudani, dhe ish-kryeministri Nuri al-Maliki tërhoqën kandidaturat e tyre.
Vendimi pasoi shtatë takime të njëpasnjëshme të mbajtura në Bagdad që nuk arritën të prodhonin një kandidat konsensual nga emrat e propozuar gjatë muajve të fundit.
Sipas kushtetutës irakiane, një kryeministër i emëruar ka 30 ditë nga data e caktimit për të formuar një qeveri.
Ali Faleh al-Zaidi, një bankier, i cili ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ekonomi, ka 30 ditë kohë për të formuar kabinetin e ri dhe për ta paraqitur atë për miratim në parlament.
Ky zhvillim shihet gjerësisht si një kompromis, pas presionit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar tërheqjen e mbështetjes për Irakun nëse al-Maliki do të rikthehej në këtë post.
Kryeministri i mandatuar al-Zaidi, i lindur në vitin 1983, është diplomuar për drejtësi dhe ekonomi dhe ka mbajtur poste drejtuese në një bankë, universitet dhe institut mjekësor.
Më shumë se 20 vjet pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja – që rrëzoi regjimin e Saddam Hussein, si dhe pas disa vitesh të kontrollit të pjesëve të vendit nga Shteti Islamik, Iraku mbetet politikisht i brishtë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani vazhdojnë të konkurrojnë për ndikim në vend.
Qeveria e ardhshme pritet të përballet me pasojat politike dhe ekonomike të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas praktikës së ndjekur që prej vitit 2003, posti i presidentit në Irak mbahet nga një politikan kurd dhe ka kryesisht rol ceremonial.
Ndërkohë, posti i kryetarit të parlamentit zakonisht i takon një myslimani suni, ndërsa kryeministri është një mysliman shiit.
