“Zhduket në ndeshjet e mëdha”, legjenda franceze thotë se Harry Kane nuk e meriton Topin e Artë

Nga D V
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ish-reprezentuesi i Francës, Emmanuel Petit, beson se Harry Kane nuk ka më gjasa ta fitojë Topin e Artë, duke argumentuar se sulmuesi anglez nuk arriti të bëjë diferencën në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Anglia e përfundoi Kupën e Botës 2026 në vendin e tretë, pasi u eliminua nga Argjentina në gjysmëfinale, përpara se ta mposhtte Francën me rezultatin spektakolar 6-4 në ndeshjen për vendin e tretë.

Kane realizoi gjashtë gola gjatë turneut, me golin e tij të fundit që siguroi fitoren ndaj Meksikës në fazën e 1/16-ës.

32-vjeçari kishte zhvilluar një sezon fantastik me Bayernin para Botërorit, duke shënuar 61 gola në të gjitha garat. Në total, për klubin dhe kombëtaren, nga gushti i vitit 2025 deri në korrik 2026, ai realizoi 73 gola në 65 ndeshje.

Megjithatë, Petit mendon se kjo nuk mjafton për ta fituar çmimin individual më prestigjioz.

“Shanset e Harry Kane për Topin e Artë kanë marrë fund”.

“Nëse e vlerëson vetëm mbi atë që bëri në Bundesligë, atëherë nuk ka asnjë problem”.

“Por në Ligën e Kampionëve dhe me kombëtaren, kur ndeshjet u bënë vërtet të vështira, mendoj se ai u zhduk”.

“Nuk dua ta fajësoj, sepse dha gjithçka dhe shënoi shumë gola, por nuk pati ndikim në ndeshjet e mëdha, njësoj si në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, mendoj se ka disa emra përpara tij”, deklaroi Petit për Mr Gamble, cituar nga TNT Sports.

Statistikat e gjysmëfinales së Kupës së Botës kundër Argjentinës mbështesin pjesërisht kritikat e francezit. Kane pati vetëm një goditje jashtë portës, nuk preku asnjëherë topin brenda zonës së kundërshtarit dhe e mbylli ndeshjen me vetëm 26 prekje të topit.

Edhe pse në Ligën e Kampionëve shënoi 14 gola me Bayernin, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve pas Kylian Mbappe me 15 gola, Petit beson se paraqitjet në sfidat vendimtare e kanë nxjerrë jashtë garës për Topin e Artë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër