Dibër, 3 shtator – Burime të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal nga Dibra thonë se pas sherrit që e raportuan mediumet në tubimin e BDI-së në Çair, “cakërrime” kanë ndodhur edhe në BDI-në e Dibrës. Sipas këtyre burimeve, sherri ka ndodhur në mbledhjen e degës partiake ku është dashur të caktohet lista e kandidatëve për këshilltarë nga kjo parti në komunën e Dibrës.
“Në degën e Dibrës u paraqitën tensione që kur u vendos kandidati për kryetar të mos jetë nga radhët e BDI. Mbrëmë ato arritën pikën e kulmit kur duhej të caktohen kandidatët për këshilltarë. Fillimisht u ngritën tonet, e pastaj pati edhe gjuajtje me gota e me gjësende tjera. Më vjen mirë që kryetari i komunës Hekuran Duka e kryetari i degës Artin Spahiu që ishin në shënjestër të akuzave kaluan pa lëndime serioze”, thonë ata.
Tensionet kanë filluar me caktimin e emrave për në listë, e kanë vazhduar për radhitjen e tyre. Kaosi ka ndodhur në momentin kur njëri nga aktivistët është ndier se po i bëhet padrejtësi dhe ka reaguar në mënyrë të bujshme.
Ndryshe kryetar aktual i Dibrës është Hekuran Duka nga BDI, kurse për zgjedhjet e tetorit kandidati i ka takuar ASH-Sela në kuadër të marrëveshjes brenda koalicionit AKI.