Zjarri në Krujë u shua pa viktima, vetëm një magazinë u shkrumbua

Nga Xh M
596 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Krujë, 9 gusht ZHurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke vlerësuar angazhimin e forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit në përballimin e flakëve.

Rama thekson se zjarri, i favorizuar nga era e fortë dhe vështirësitë për ndërhyrje nga ajri gjatë orëve të natës, u vu nën kontroll pa shkaktuar viktima apo të lënduar në mesin e banorëve.

Sipas kryeministrit, bilanci i ngjarjes ishte një magazinë e shkrumbuar dhe asnjë banor i dëmtuar, ndërsa ndërhyrja e forcave në terren bëri të mundur shmangien e një situate me pasoja më të rënda.

“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës”, shkruan Rama, duke vënë në dukje se kushtet atmosferike dhe pamundësia për përdorimin e mjeteve ajrore gjatë natës e vështirësuan ndjeshëm operacionin.

Kryeministri ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, u përballën me flakët me “heroizëm” dhe “aftësi të spikatur profesionale”.
Rama ka ndarë gjithashtu një mesazh që, sipas tij, ka marrë gjatë orëve të natës nga një banor i Krujës, në momentin kur zjarri po merrte përmasa të mëdha.
“Zoti Kryeministër! Ju lutem zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ua shpërbleftë… por era po e përhap më shumë shpejtësi. Nëse është e mundur përforcime të tjera… shteti është në këmbë i tëri”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri e cilëson ndërhyrjen në Krujë si një tjetër përballje të vështirë me zjarret gjatë këtij gushti, duke theksuar rolin e forcave në terren në mbrojtjen e banorëve dhe shmangien e një bilanci tragjik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër