ZNAM dënon çdo glorifikim të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës

Nga Xh M
1,018 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 gusht Zhurnal.mk – Në politikë ka momente kur kalkulimet e politikës ditore duhet të ndalen dhe fjalët duhet ta kenë peshën e përgjegjësisë. Qëndrimi ndaj krimeve të luftës, viktimave dhe aktgjykimeve të formës së prerë të gjykatave ndërkombëtare është pikërisht një moment i tillë.

Lëvizja ZNAM për Maqedoninë Tonë dënon ashpër krimet e luftës të kryera në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe rastet e Hagës në Maqedoni nga viti 2001, si dhe çdo përpjekje për glorifikimin, relativizimin apo justifikimin e tyre.

Për ne nuk ka standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për respektimin e viktimave, të drejtës ndërkombëtare dhe vlerave civilizuese. Asnjë krim lufte nuk mund të justifikohet dhe asnjë kriminel lufte i dënuar me aktgjykim të formës së prerë nuk mund të paraqitet si shembull për respekt apo admirim.

Postimi është qëndrim personal i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe nuk mund të barazohet me qëndrimin e Qeverisë, e as me politikën e bartësve të pushtetit. Përgjegjësia për veprimet publike dhe qëndrimet personale duhet të merret individualisht dhe institucionalisht.

Prandaj, është e paserioze dhe politikisht e pandershme të pretendohet se ZNAM-i “hesht”, vetëm pse nuk kemi reaguar sipas diktatit dhe brenda afatit që dikush nga opozita na ka caktuar.

ZNAM-i flet dhe vepron mbi bazën e parimeve të veta.

Nëse vërtet duam të diskutojmë seriozisht për vlerat evropiane, demokracinë, përballjen me të kaluarën dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare, atëherë le të diskutojmë pa etiketim, pa pamflete politike dhe pa konstruksione historike të krijuara për përdorim të politikës ditore.

ZNAM-i dënon çdo glorifikim të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës.

Njëkohësisht, ZNAM-i e refuzon edhe instrumentalizimin politik të kësaj çështjeje jashtëzakonisht serioze, me qëllim krijimin e fajësisë kolektive, ndarjeve etnike dhe konstruksioneve politike.

Venko Filipçe dhe LSDM-ja nga një temë serioze krijojnë një konstruksion të tërë politik, në të cilin përpiqen të lidhin partitë e pushtetit dhe Lëvizjen ZNAM, Serbinë, Aleksandar Vuçiqin, “botën serbe”, Kinën, Rusinë dhe KPM-në, gjë që për ne përfaqëson një spin klasik politik, qëllimi i të cilit është që një veprim konkret ta shndërrojë në një konstruksion më të gjerë për diskreditimin e të gjithë Qeverisë dhe partnerëve të saj të koalicionit.

Njëkohësisht, si Lëvizje dhe subjekt serioz politik, nuk do të lejojmë që “interpretuesit” e vetëshpallur politikë të na shpjegojnë se çfarë mendojmë, në çfarë besojmë dhe për çfarë angazhohemi.

Qëndrimi i ZNAM-it është i qartë: NATO dhe BE-ja janë e ardhmja e Maqedonisë!

ZNAM-i do të vazhdojë ta mbajë përgjegjësinë e tij ndaj Maqedonisë me qëndrim të pavarur, parime të qarta dhe respekt ndaj shtetësisë, të drejtës ndërkombëtare dhe të gjithë qytetarëve të saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër