12 shoferë arrestohen brenda 24 orëve, drejtonin automjetet pa patentë dhe në gjendje të dehur

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Policia ka privuar nga liria 12 shoferë në territorin e vendit gjatë 24 orëve të fundit, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit”. Tetë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjete pa patentë shoferi, ndërsa katër të tjerë nën ndikimin e alkoolit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndaj shoferëve është ndërmarrë masa e privimit nga liria në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal.

Nga tetë personat që drejtonin automjete pa patentë shoferi, katër janë nga Shkupi, ndërsa të tjerët janë nga Dibra, Gostivari, fshati Poroj dhe fshati Zdunjë. Në mesin e tyre është edhe një i mitur 17-vjeçar.

Ndërkohë, katër shoferë të tjerë janë kapur duke drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit. Matjet kanë treguar se A.T. (46) nga Strumica kishte 1,84 promilë alkool në gjak, M.J. (22) nga Radovishi 1,52 promilë, D.M. (36) nga fshati Amzabegovë, në rrethinën e Sveti Nikollës, 1,54 promilë, ndërsa P.T. (36) nga Manastiri 1,93 promilë alkool në gjak.

MPB njofton se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzime penale përkatëse.

Policia u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjete pa e dhënë provimin e vozitjes dhe të mos ulen në timon nën ndikimin e alkoolit. Gjithashtu, rikujton se drejtimi i automjetit është i ndaluar edhe për personat ndaj të cilëve është në fuqi masa e ndalimit të drejtimit të automjeteve motorike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër