Shkup, 12 korrik Zhurnal.mk – Një 16-vjeçar nga Saraji i Shkupit është privuar nga liria, pasi dyshohet se ka sulmuar me një mjet të mprehtë një të mitur tjetër, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti është denoncuar më 11 korrik 2026 në SPB Shkup.
Rreth orës 15:00, para një objekti hotelierik në fshatin Saraj, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, kishte ndodhur një përleshje fizike ndërmjet një 14-vjeçari dhe një të mituri tjetër.
Pas një kohe të shkurtër, para një objekti tregtar, 14-vjeçari ishte takuar me një 16-vjeçar, i cili dyshohet se e kishte sulmuar me një mjet të mprehtë dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sipas policisë, 14-vjeçari ishte kundërpërgjigjur duke e goditur 16-vjeçarin me një send të fortë dhe duke i shkaktuar lëndime.
Më 12 korrik, rreth orës 01:35, 16-vjeçari është privuar nga liria nga nëpunësit policorë të SPB Shkup.
Me të është zhvilluar bisedë zyrtare në stacionin policor, në prani të prindit dhe avokatit.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.
